Shqipëria nis vaksinimin nëpër shtëpi

Ekipet mjekësore në Shqipëri kanë nisur nga sot vaksinimin e qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre, si pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një postim në Facebook ka thënë se me këtë i jepet mundësia çdo qytetari që të vaksinohet afër vendbanimit.

“Prej sot vaksina ju vjen në shtëpi me njësitë e lëvizshme në komunitet, pjesë e planit kombëtar të vaksinimit masiv, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të vaksinohet, afër vendbanimit”, ka shkruar Rama.

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë kryer 5,634 vaksinime dhe prej fillimit të vaksinimit janë dhënë në total 1,011,297 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 429,191 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.