Presidenti i Turqisë Erdogan, do të vizitojë Shqipërinë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan pritet të vizitojë së shpejti Shqipërinë. Gazeta proqeveritare turke “Sabah” ka paralajmëruar një vizitë të Presidentit Erdogan në Shqipëri “në muajt në vijim”. Lajmi është dhënë teksa gazeta raportonte për vizitën në vendin tonë të një prej personave më të afërt të Erdoganit, siç është Ibrahim Kalin.

Ky i fundit ishte ditët e fundit në vendin tonë duke u takuar edhe me kryeministrin Rama sipas “Sabah”, ndërsa është shprehur teksa flisnin për blerjen e dronëve se “siguria e Shqipërisë është një çështje që i përket edhe Turqisë”.

Kryeministri Rama dhe disa nga ministrat ishin në Turqi pak javë më parë, vizitë të cilën “Sabah” e cilëson mjaft productive në zgjerimin e raporteve mes dy shteteve.

Lufta ndaj Gylenistëve dhe blerja e dronëve turq mendohet se ka qenë në fokusin e bisedimeve të njeriut të cilësuar si krahu i djathtë i Erdogan, Ibrahim Kali me kryeministrin Edi Rama.

“Pra, është në interesin tonë të përbashkët të forcojmë autoritetet shqiptare të sigurisë kundër terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore, trafikut të drogës ose krimeve të ngjashme”, tha Klan.

Ai tha se u takua me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe diskutoi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale dhe vuri në dukje se vizitat e Ramës në Turqi ishin jashtëzakonisht produktive.

Ai tha se të dy vendet zhvilluan bisedime zyrtare për përgatitjen e një vizitë të Presidentit turk Erdogan në muajt e ardhshëm.

Raportet Shqipëri-Turqi kanë rrënjë të thella historike, tha ai, duke shtuar se të dy vendet po punojnë ngushtë në tregtinë për bashkëpunimin për sigurinë dhe çështjet rajonale.