Bilanci 10 vjeçar i nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës, dallim i thellë

Nga viti 2010 e deri më sot, nëpër shkollat fillore shqipe në Luginën e Preshevës numri i nxënësve shqiptarë është përgjysmuar. Nga 7.246 sa kanë qenë në vitin 2010/11, dhjetë vjet pas janë vetëm 3.982 nxënës.

Shpërnguljet e mëdha të popullsisë nga vendet rurale në ato urbane, emigrimi dhe rënia e natalitetit, kanë ndikuar që shumë shkolla fillore shqipe në Luginën e Preshevës të vijojnë mësimin me pak nxënës, madje disa prej tyre me vetëm një apo dy. 

Në tri komunat e banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë: në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, numri i filloristëve shqiptarë është përgjysmuar për dhjetë vite me radhë. Nga të dhënat e siguruara nga drejtoritë e këtyre shkollave vërehet një rënie enorme nëpër vendbanimet rurale, sidomos ato në pjesën e Malësisë së Bujanocit e Karadakut të Preshevës.

Shkolla Fillore “Migjeni” në Muhoc të Bujanocit në vitin shkollor 2010/11, ka pasur gjithsej 246 nxënës, ndërsa në këtë vit shkollor, gjegjësisht më 2020/21 ka vetëm 90.

Një rënie e tillë vërehet edhe në fshatin më të madh të Bujanocit, në Tërnoc. Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu”, në vitin shkollor 2010/11 ka pasur gjithsej 1.150 nxënës, kurse tani ka vetëm 467.

Në shkollën “Ali Bektashi” në fshatin Nesalcë, në vitin shkollor 2010/11, kanë qenë gjithsej 441 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 177.

Në Shkollën Fillore “Desanka Maksimoviq” në fshatin Bilaç, në vitin 2010/11 kanë qenë 529 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 235.

Në shkollën Fillore “Sami Frashëri” në fshatin Lluçan, në vitin 2010/11 kanë qenë 462 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 214. 

Në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në qytet në vitin shkollor 2010/11 kanë qenë 437 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 401.

Në shkollat fillore në Komunën e Preshevës, gjithashtu vërehet një rënie e madhe e nxënësve, sidomos nëpër fshatra.

Në Shkollën Fillore “Dituria” në fshatin Corroticë, në vitin shkollor 2010/11, kanë qenë 402 nxënës, në vitin 2020/21 janë 198.

Në Shkollën Fillore ”9 Maji” në fshatin Leran, në vitin 2010/11 kanë qenë 551 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 220.

Në Shkollën Fillore “Selami Hallaçi” e fshatit Rahovicë, në vitin 2010/11 kanë qenë 534 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 295.

Në Shkollën Fillore “Migjeni” e fshatit Caravajkë në vitin 2010/11 kanë qenë 83 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 38.

Në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” e fshatit Raincë në vitin shkollor 2010/11 kanë qenë 289 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 254.

Në Shkollën Fillore “Ibrahim Kelmendi” në qytet në vitin 2010/11 kanë qenë 2.035 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 1.347.

Shkolla Fillore “Abdulla Krashnica” e fshatit Miratoc kanë refuzuar t’i japin të dhënat pa ndonjë arsye.

Gjithashtu, edhe në shkollat fillore në Medvegjë ka një rënie të dukshme për dhjetë vjet. Megjithatë, atje vetëm një shkollë administrohet nga shqiptarët, vetëm Shkolla Fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Tupallë.

Nga të dhënat e kësaj shkolle, në vitin 2010/11 kanë qenë të regjistruar 21 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë vetëm 13. Sipas zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në këtë komunë, në vitin 2010/11 kanë qenë afërsisht 86 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë vetëm 46.

Shumica e drejtorëve nga këto shkolla kanë thënë që zvogëlimi i numrit të nxënësve ka ndikuar për shkak të rënies së natalitetit, por edhe gjendjes së vështirë ekonomike, e që për pasojë i detyrojnë familjet e shumta të ikin drejtë vendeve të perëndimit.

Drejtori i Shkollës “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës, Shukri Ymeri u ka bërë thirrje autoriteteve komunale të bëjnë më shumë investime nëpër shkolla, gjë e cila mungon sidomos nëpër fshatrat malorë të këtyre komunave.

“Politika apo pushteti lokal i Preshevës duhet të bëj më shumë dhe urgjent një politikë shpresëdhënëse për këtë pakicë shqiptare që ka mbetë ende këtu”, ka thënë Ymeri, e që njëjtë sikurse ai mendojnë edhe shumica e drejtorëve të tjerë, të cilët apelojnë për kushte më të mira.

Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi ka thënë se ky institucion ka për objektiv arsimin cilësor dhe se janë të përkushtuar në zgjidhjen e problemit të përdorimit të librave shqip, gjë e cila iu është mohuar nxënësve shqiptarë në këtë rajon për gati dy dekada.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar që në fillim ka përcaktuar si objektiv arsimin cilësor për shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Kuptohet se për të pasur arsim cilësor nënkupton arritja e standardeve të nevojshme për realizim. Andaj, jemi shumë të fokusuar në sigurimin e lejeve të përdorimit të teksteve mësimore nga Republika e Shqipërisë dhe vitin e kaluar patëm një sukses të jashtëzakonshëm edhe pse ende nuk janë siguruar të gjitha librat shkollor për shkollat fillore e me standardet e reja të arsimit nuk kemi asnjë̈ tekst mësimore për shkollat e mesme.

Sigurisht, rënia e numrit të nxënësve ka rrezikuar seriozisht funksionimin e procesit edukativo-arsimore në radhë të pare në shkollat që funksionojnë̈ në vendbanimet rurale”, ka thënë Mustafi.

Vitin e kaluar KKSH ka bërë shpërndarjen e librave shqip nga Shqipëria për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, e cila është bërë e mundur përmes një marrëveshje midis Ministrisë së Arsimit në Shqipëri dhe asaj në Serbi.

Mustafi ka potencuar se shumica e shkollave fillore, sidomos ato nëpër vendbanimet rurale nuk kanë kushte esenciale për të vijuar procesin arsimor.

“Në kushte optimale edhe pse kemi gati gjysmën e kuadrit arsimore me kontrata me afat të caktuar çfarë shprehet në pasigurinë e mësimdhënësve, aq më tepër kur emërimin dhe shkarkimin e bën Ministri i Arsimit nga Beogradi.

Ndërkohë që kemi shkolla që nuk kanë qasje fare në internet e rrjet të telefonisë. Disa kanë mungesë edhe të ujit. Megjithatë, nxënësit shqiptarë mbeten të hendikepuar me mungesën e teksteve mësimore si e drejtë themelore tek të drejtat e fëmijëve për arsim të dinjitetshëm”, shprehet Mustafi.

Ai thotë se janë të angazhuar që bashkë me Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë të sigurojnë progres në të ardhmen.

Për të zhvilluar procesin e arsimit cilësor, duhet të ketë kushte esenciale. E për të pasur kushte esenciale, duhet investime. Një gjë e tillë shpesh anashkalohet nga pushtetet lokale në këto tri vendbanime shqiptare në Serbi, e jo vetëm, investime nuk ka as nga ana shtetërore.

(Hulumtimi është përgatitur nga Driton Hyseni dhe Lirigzona Nuredini, studentë të drejtimit “Media dhe Komunikim” në UBT).