Ekskluzive/ “Është histori e rrallë”! Lë Belgjikën për të ardhur te Shqipëria, Rinori tregon afrimin e talentit 16-vjeçar

Një tjetër talent do të vesh ngjyrat e kuqezinjëve të Shqipërisë për ta bërë të ardhmen tonë edhe më premtuese. Këtë herë flitet për futbollistin 16-vjeçar të Standart Liege, Lindon Ajeti. Ky i fundit ka luajtur në sezonin e shkuar për grupmoshën U-21 të skuadrës belge dhe kjo tregon saktësisht aftësitë e tij, duke marrë besimin e drejtuesëve të klubit.

Më herët Ajeti ka luajtur për grupmoshën e Belgjikës dhe spikati në përballjen e tyre me Anglinë U-15. Roli i futbollistit në fjalë është mbrojtës i djathtë, por mund të përshtatet edhe në të majtin. Një nga veçoritë e Lindonit është driblimi i kundërshtarëve dhe mbështetja për sulmin. Së fundmi është vendosur që mbrojtësi t’i bashkohet Shqipërisë U-17. Madje nuk do të humbet kohë pasi do të jetë pjesë e kuqezinjëve që në grumbullimin e 22 qershorit që do të zhvillohet në Itali.

Pjesëtari i FSHF që merret me zbulimin e talenteve shqiptarë në Belgjikë, Rinor Agushi, ka folur sa i përket kësaj çështje për “Sport Ekspres”: “Lindoni është një talent i prespektivës dhe shihet si një nga më të mirët te shkolla e futbollit të Standart Liege. Unë kam punuar për afrimin e tij dhe mund të them se është një nga rastet e rralla. Nuk është kërkuar shumë mund dhe kohë që të vishte fanellën e Shqipërisë. Po prisnin thjeshtë ftesën e Shqipërisë, sapo erdhi, nuk e menduan dy herë për të lënë Belgjikën. Gjithashtu edhe dëshira e babait të tij ishte e madhe që djali të luante për Kombëtaren kuqezi”, u shpreh Agushi. /Sport Ekspres/