Çka është Islami politik!

Ky artikull është nxitur nga debatet e fundit rreth Islamit politik nëpër disa media kosovare. Në fakt, cektësia e njohurive rreth temës që shprehej nëpërmes shpjegimeve të gabueshme ishin arsyet pse vendosa t’i ofrojë lexuesit këtë artikull. Me keqardhje duhet të pranoj se jemi ndër popujt më të varfër sa i përket shkrimeve rreth këtyre temave kaq të rëndësishme. Studimi të cilin tani e keni para duarve, lexuesit i jep njohuri rreth Islamit politik, flet për dallimet midis tij dhe Islamit, si dhe ofron të dhëna shkencore mbi shkaqet, faktorët dhe momentet historike që i paraprinë paraqitjes së kësaj ideologjie politike islamike.

Shkruan: Mustafë Bajrami

Montgomery Watt shkruan se shoqëria e parë islame ishte një shoqëri religjioze dhe politike në të njëjtën kohë, ndërsa përkatësinë e vetë e përkufizonte me shprehje fetare. Termi më i përdorur në Kur’an për ithtarët e Profetit është “besimtarët” (mu’minun). W. M. Watt shkruan gjithashtu se të pakët janë hadithet e Profetit që flasin me gjuhë nacionale, e në Kur’an nuk gjen asnjë ajet që flet mbi përparësinë racore. Përparësia e vetme mes njerëzve të cilën e përmend Kur’ani, thotë ai, është devotshmëria.

Bernard Dukiç nga Universiteti i Splitit mendon ndryshe nga i pari. Sipas tij, Islamizmi dhe Islami ekzistojnë si dy kategori të veçanta dhe nuk janë aspak sinonime. Islami është një fe besimtarët e së cilës janë muslimanë, ndërsa Islamizmi është një formë politike e Islamit; më saktësisht, është një ideologji dhe orientim politik i formuar brenda një bote komplekse islamike. Ai thotë se do të ishte e gabuar të pretendohet se Islami është në vetvete një lëvizje politike. Islami është fe që buron nga Shpallja e cila i erdhi Profetit Muhamed. Ai konstaton se meqenëse ndërlidhja midis lëvizjeve politike dhe botëkuptimeve të Muhamedit a.s. akoma mund të diskutohen, politikat e pasardhësve të tij nuk lënë hapësirë ​​për dyshim se ata kombinuan Islamin me pushtimet dhe krijimin e një shteti të ri islamik.

Personalisht mendoj se Islami për nga përmbajtja dhe misioni që ka është fe universale. Meqenëse nuk njeh kufi, nuk lë jashtë domenit të vetë asnjë segment të jetës së njeriut. Këtë e thonë burimet kryesore të fesë islame që janë Kur’ani dhe Synneti. Nisur nga kjo, Islami nuk mund të mendohet as jashtë kategorive politike. Historikisht janë të njohura përpjekjet e Muhamedit a.s. dhe të shokëve të tij, të themelojnë shtetin menjëherë pas shpërnguljes së tyre nga Meka në Medinë. Pejgamberi e shihte shtetin si garantues i mbijetesës edhe biologjike edhe shpirtërore. Ky shtet s’do mend se do të drejtohej sipas parimeve bazë të Kur’anit. Sipas profesorit në Universitetin e Oxfordit, Shabir Akhtar, Islami në thelb është një fe politike. Duke e krahasuar me Krishterimin, thotë se ky i fundit është më shumë etik sesa politik. Akhtar shkruan se kjo nuk nënkupton se Islami nuk merret me etikën në masë sa merret Krishterimi, por që, ndryshe nga Krishterimi, në misionin e tij, Islami e llogaritë shtetin si garantues edhe i etikës shoqërore.

Përgjatë zhvillimit historik të Islamit si fe, si kulturë dhe civilizim, shteti ka luajtur rol shumë të rëndësishëm. Muqtedar Khan, në artikullin e tij të njohur “What is Political Islam” përshkruan momentet e ndjeshme nga ku zënë fill lëvizjet e para pan-islamike. Ai thotë se që nga fillimi i epokës koloniale dhe i dominimit perëndimor mbi vendet myslimane e deri më sot, shumë intelektualë dhe studiues myslimanë qajnë për humbjen e Perandorisë, fuqisë dhe lavdisë së dikurshme muslimane. Megjithëqë nuk ka konsensus për atë se ç’ishte arsyeja kryesore e rënies së muslimanëve, shuarja e Perandorisë Osmane, rrjedhimisht shfuqizimi i Halifatit Islam në vitin 1924, është momenti kryesor kur fillon nxitja në psikikën myslimane për një rimëkëmbje të mundshme. Shumë lëvizje Islame që atëherë u shfaqën me qëllimin e qartë për ringjalljen e ymetit mysliman dhe rivendosjen e tij në pozitën e lavdishme të kaluar. Ç’është e vërteta, edhe para se kalifati të zhbëhej, nëpër disa shoqëri muslimane të kolonizuara, kishte filluar formimi i rezistencës kundër kolonizatorëve. Në të gjitha këto lëvizje, Islami ishte faktor koheziv dhe po ndikonte në vetëdijen shoqërore të atyre vendeve.

Gjeneza historike dhe fillet substanciale të Islamit politik

Para se të flasim për Islamin politik në kuptimin që e njohim sot, është e udhës të përmendim disa momente të rëndësishme që ndërlidhen me paraqitjen e kësaj ideologjie fetare-shoqërore-politike. Natyrisht, duke ritheksuar se Islami  është feja e ardhur nga Zoti nëpërmes Shpalljes tek Muhamedi a.s., ndërsa Islamizmi është ideologjia që thirret në emër të Islamit, që përdor fenë islame si bazë të veprimit të saj politik, dhe e cila, në literatura të ndryshme botërore quhet Islam politik. Siç do të shohim më vonë, rrënjët e Islamit modern politik datojnë në shekullin e 19, e sidomos në shekullin e 20.

Lëvizjet e para pushtuese të fuqive koloniale evropiane drejt vendeve muslimane fillojnë në shekullin e 17, ndërsa kulmin e arrijnë në shekullin 20. Në fillim të shekullit 20, në Lindje të Mesme, në Indo-Kinë dhe në Azinë Qendrore mbesin vetëm tri shtete myslimane të njohura ndërkombëtarisht: Perandoria Osmane, Persia dhe Afganistani. Gjatë kësaj kohe, fuqitë evropiane u shquan jo vetëm për nga dominimi i hapur politik dhe ekonomik, por edhe për nga “fitoret” e mëdha që korrnin mbi paradigmat fetarë dhe kulturorë të botës islame. Si përgjigje ndaj gjithë kësaj, paraqiten lëvizjet e para reformiste duke kërkuar kthim në vlerat islame si një model i rezistencës dhe i rimëkëmbjes islamike.

Kështu, rezistencat e para kundër fuqive evropiane në Lindje të Mesme u organizuan nga bashkësitë sufiste. El-Haxh Umar Tall, Shejhu i tarikatit Tixhani, udhëhoqi rezistencën ndaj kolonizuesve francez në Afrikën Perëndimore, në Guinenë e sotme dhe Mali. Usman Dan Fodio, një anëtar i tarikatit Kadiri, udhëhoqi rezistencën ndaj kolonializmit britanik në fund të shekullit të 18-të dhe organizoi muslimanët e Senegalit, Malit, Çadit, Republikës së Afrikës Qendrore dhe Sudanit në një kalifat të veçantë të quajtur Sokoto. Ky kalifat mbijetoi për gati një shekull. Në Algjeri, rezistenca e gjatë ndaj kolonizatorëve francez u drejtua nga Emir Abdulkadir Xhezairi, Shejhu i tarikatit Kadiri. Imam Shamil Dagestani, Shejh i tarikatit Nakshibendi, udhëhoqi një çerek shekulli rezistencën ndaj okupatorit perandorak rus në Kaukaz, duke arritur të bashkonte fiset ndërluftuese të myslimanëve kaukazianë dhe të shfuqizonte gjakmarrjen. Omer Mukhtar, Shejhu i tarikatit senusian, organizoi dhe udhëhoqi një lëvizje rezistence ndaj okupimit italian të Libisë për gati njëzet vjet, derisa u arrestua dhe u var publikisht në vitin 1931.

Të gjitha këto lëvizje, rezistenca dhe grupime fetare-politike janë rezultat ose i pakënaqësive ndaj politikave vendore të atëhershme, ose drejtpërdrejtë luftonin për largimin e fuqive evropiane nga Lindja e Mesme dhe vendet tjera muslimane.

Çka është Islami politik?

Tamara Sonn shkruan se Islami politik është interpretimi i Islamit si një burim i identitetit dhe veprimit politik. I referohet një game aktivitetesh dhe individësh që mbështesin formimin e një shteti dhe shoqërie në përputhje me parimet islame. D.m.th., i referohet përdorimit të Islamit si një burim i pikëpamjeve dhe koncepteve edhe politike.

Në rrafshin historik, termi “Islami politik” është një format i rilindjes islame i filluar në dy shekujt e kaluar. Disa e përdorin termin “Islamizëm” për të përshkruar të njëjtin fenomen. Ky term i referohet përgjithësisht çdo interpretimi të Islamit që shërben si bazë për identitetin politik dhe veprimeve tjera të ngjashme me te. Më konkretisht, i referohet lëvizjeve që përfaqësojnë mobilizimin politik modern të muslimanëve në emër të Islamit, trend ky i shfaqur në fund të shekullit të 20-të. Megjithatë, jo të gjitha lëvizjet e ringjalljes islame mund të karakterizohen si Islam politik. Martin Kramer përmend Tabligi Xhemaʿat dhe thotë se, edhe pse kjo lëvizje ishte zgjeruar shumë në Indinë veriore në vitet e para të shekullit 20, ajo shmang me vendosmëri aktivizimin në politikë. Gjithashtu, ka edhe disa vëllazëri sufiste të cilat kishin shfaqur dinamizëm në atë kohë, por, pa synime e programe politike. Për më tepër, një numër jo i vogël i muslimanëve janë të përfshirë në shumë veprimtari politike që nuk përfshihen në diskutimet e Islamit politik. Kështu, termi “Islami politik” zakonisht përdoret për të identifikuar një lloj specifik të programit politik dhe nuk është një etiketë gjenerale për çdo aktivitet politik në botën muslimane.

Shikuar nga perspektiva e një numri jo të vogël të studiuesve muslimanë, termi “Islam Politik” është problematik për disa arsye. Sipas tyre, ky term automatikisht nënkupton se ka Islam të pjesshëm, të copëtuar. Ata thonë se Islami është një tërësi që përfshin të gjitha sferat e jetës. Pra edhe politikën. Muhamed Hashim Kemali shkruan se në traditën islame, ekziston një degë shkencore në të drejtën islame që quhet “Es-sijase esh-sher’ijah”. Ajo synon “vendosjen e rregullave dhe ligjeve që janë në përputhje me Sheriatin, me qëllim të arritjes dhe ruajtjes së interesit publik dhe parandalimin e dëmit “. Sipas Kamalit dhe disa të tjerëve, muslimanët duhet, për aq sa është e mundur, të shmangin përdorimin e frazës “Islami Politik”, e cila është përhapur si rezultat i ndikimit të literaturës perëndimore në shkencat islame.

Gjithsesi, “Islami politik” si term u prezantua për herë të parë nga Arthur Jeffery në 1942. Manifestimet e organizuara politike të ringjalljes islame u ngritën si rezultat edhe i dështimit të lëvizjeve laike-nacionaliste në pjesën më të madhe të botës myslimane në mesin e shekullit të kaluar. Entuziazmi i lidershipit dhe programet nacionaliste të viteve 1960-ta, u zbehën nga ngecja ekonomike dhe pengesat e ndryshme politike. Gjithashtu e sidomos disfata e ushtrive arabe në luftën “gjashtë ditore” kundër Izraelit të vitit 1967 ndikuan shumë në ngjarjet që do të pasojnë në botën muslimane. Pas kësaj lufte, grupet e reja me identifikime më të qarta islame filluan të zëvendësonin të majtët radikalë si zëra të opozitës politike. Domethënë, fenomeni bashkëkohor i referuar si Islam politik (ose Islamizëm) ka ekzistuar për më shumë se një shekull, por literatura shkencore me te fillon të merret pas viteve 1960. Kjo për shkak të zhvillimeve rajonale që kishin lënë nën hije dukshmërinë e islamikëve, si, pushtimi britanik dhe francez i tokave të Lindjes së Mesme pas shembjes së Perandorisë Osmane, rrjedhimisht, pas Luftës së Parë Botërore. Pastaj, dekolonizimi i rajonit pas Luftës së Dytë Botërore dhe luftës indigjene për pavarësi. Ajo çka bie në sy përgjatë kësaj periudhe, është fakti se në këto kohë të trazuara, islamistët nuk ishin më shumë se lojtarë margjinalë në një rajon të mbizotëruar ideologjikisht nga forcat laike-nacionaliste. Literatura shkencore e asaj kohe reflektonte këtë realitet dhe për këtë arsye dominohej nga libra dhe artikuj me gjuhë dhe përmbajtje nacionaliste arabe.  

Nga fundi i viteve 1970-ta, pushtetarët arabë të shtyrë nga rrethanat e reja që po krijoheshin në rajon, kishin filluar përdorimin e disa shprehjeve burimore islame, që në fakt nuk ishin tradicionale deri atëherë. Andaj terminologjia e përdorur për fenomenet e karakterizuara si Islam politik, ndryshon shumë midis studiuesve. Varësisht prej ekspertëve që merren me te, dhe varësisht nga prizma prej së cilës i qasen problemeve të shekullit 20 të botës arabe. Kështu, studiuesi amerikano-hebre për Lindje të Mesme, Martin Kramer në vitin 1980 e përdori termin “Islam politik” për t’i shtjelluar ngjarjet dhe prapaskenat e tyre që ndodhën në Lindje të Mesme. Disa studiues të tjerë përdorin termin “Islamizëm” për të njëjtën grup fenomenesh. Ta zëmë, amerikani me prejardhje armene, Richard Dekmejian ishte ndër të parët që vendosi politizimin e Islamit në kontekstin e dështimit të qeverive laike arabe, megjithëse ai përdor termat islamizëm dhe fundamentalizëm (në vend të Islamit politik). Në vitin 1995, Dekmejian trajton fundamentalizmin dhe islamizmin si formate të ngjashme dhe të dala nga ideja e Islamit politik.

“Islami politik” ka kuptime të ndryshme. Në vitin 2003, Dekmejian, shkroi se Islami politik mund të konsiderohet gjithashtu një tautologji, sepse askund në botën islame feja nuk është e ndarë nga politika. Siç thamë pak më parë, Dekmejian është i pari që tha se politizimi i Islamit i ka rrënjët tek dështimi i qeverive laike muslimane. Gjithashtu, fraza “Islami politik” përdoret edhe si përshkrim i lëvizjeve apo grupeve që punojnë për ringjalljen e gjerë fundamentaliste islame, që shoqërohet me një agjendë të veçantë politike. Mukter Khan përfshin në Islamin politik të gjitha lëvizjet islame që promovojnë një sistem politik të bazuar ekskluzivisht në parime islame ku çdo mysliman duhet t’i ndjekë ato.

Në botë sot janë të shkruar me qindra libra e të botuara me mijëra studime rreth Islamit politik. Në këtë rrafsh, dhe jo vetëm, shqiptarët janë ndër të më varfrit. Për shkak të misionit që ka si dhe për arsye të ndryshme politike e strategjike, Islami politik është studiuar nga rrafshe të shumta dhe është shtjelluar nga pena të mprehta intelektuale. Janë bërë studime për emërtimin që ka, për përmbajtjen dhe rrezikshmërinë ndaj botës perëndimore e sidomos për lidhjet (e mundshme) mes Islamit si fe dhe Islamit politik si ideologji. Gjithashtu, studiues të tërë përdorin terma të ndryshëm përshkrues për të dalluar rryma të ndryshme ideologjike brenda Islamit politik, si konservator, progresiv, militant, radikal, xhihadist, etj. Shumica prej tyre e shohin Islamin politik një instrument për ringjalljen islame globale dhe madje edhe unifikimin politik të gjithë muslimanëve. Mohammed Ayoob nënvizon se politikat, shtetet apo hilafetet islamike nuk janë loja e fundit e as fundi i lojës. Ato konsiderohen vetëm mjete dhe instrumente të ringjalljes globale islamike. Marrë në përgjithësi, lëvizjet politike islame mund të ndahen sipas mjeteve që i përdorin për të realizuar qëllimin e tyre të parë – politikën islame. S’do mend se, nga ky këndvështrim, ekzistojnë dy lloje; 1) ata që kërkojnë impelementimin e politikës islamike përmes forcës dhe dhunës, madje edhe terrorizmit, dhe 2) ata që e kërkojnë atë përmes mjeteve paqësore duke përfshirë proceset demokratike. Ata që përdorin forcën në të shumtën e rasteve quhen xhihadistë, ndërsa ata që nuk përdorin forcë identifikohen si islamistë.

Të përmendim edhe këtë: Termi “Islami politik” nuk synon periudhën e hershme islame. Ka të bëjë kryesisht me proceset dhe aktivitetet politike të bazuara në Islam nga shekulli i 19 e deri në ditët e sotme. Pra, përdoret për të përshkruar platforma divergjente, disa herë konfliktuoze ideologjike që përmbajnë platforma fetare islame në programet e tyre. Domethënë, që e shohin Islamin si një potencial politik që mund të ndikojë në të ardhmen e shoqërive dhe politikave myslimane nëpër botë. Sidoqoftë, shumica e analizave rreth Islamit politik që në mënyrë të qartë përpiqen të vlerësojnë potencialin e tij të ardhshëm, përqendrohen në karakteristikat e tij të lindura si një ideologji politike me prirjen për të mobilizuar ithtarë për qëllime të ndryshimit të regjimit ose transformimit shoqëror, ose të dyjave. Prandaj, këto analiza përqendrohen kryesisht në natyrën e qenësishme dhe kontradiktat e brendshme të Islamizmit. Vetëm një pjesë e vogël e shkrimeve mbi Islamin politik përpiqen në mënyrë të qartë të analizojnë ndikimin që mund të kenë variablat e jashtëm të Islamit politik në perspektivat e ardhshme të Islamizmit dhe të muslimanëve në përgjithësi. 

(VAZHDON)

VËREJTJE: Ndalohet rreptësisht citimi i pjesëve apo tërësisë së këtij artikulli pa lejen e autorit. Lejohet vetëm nëse përmendet burimi në fusnotat e shkrimeve eventuale që mund të bëhen rreth temës. Të drejtën autoriale të këtij studimi e ka Gazeta Mejdani!