Kim Mehmeti: Kosova më në fund u çlirua nga pengmarrësit e saj!

Publicisti Kim Mehmeti ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës.

Përmes një shkrimi në facebook, Kim Mehmeti ka thënë se fitorja e vërtetë e Kosovës nuk ka të bëjë me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, por me të vërtetën se ajo përfundimisht ia zbardhi fytyrën politike mbarë shqiptarisë.

Shkimi i plotë:

Fitorja e vërtetë e Kosovës nuk ka të bëjë me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, por me të vërtetën se ajo përfundimisht ia zbardhi fytyrën politike mbarë shqiptarisë dhe u çlirua nga pengmarrësit e saj: nga ‘Klani Pronto’ dhe ‘pleqtë‘ e LDK-së që pamëshirshëm asaj ia ‘thithnin’ gjakun rinorë.

Andaj edhe mund to thuhet se VV e shpërlau pjesën më të madhe të premtimit dhënë rinisë dhe popullit të Kosovës. Tani mbetet që vendin ta pastroj nga plehu politikë, që është duke e ‘qelbur’ dhe që e ka mbuluar atë.

Dhe duhet përsëritur se VV-sjen sot do mund ta dëmtojnë rëndë krenarinë e pakontrolluar e fitimtarit dhe, pritshmëria e madhe e popullit. Si dhe rezistenca e individëve të punësuar nëpër institucionet shtetërore e nëpër media, e të cilët nuk vlejnë gjë pa ‘hajdutët’ e tyre partiak.

Siç duhet theksuar se VV do gabojë rëndë nëse do bëhet si “Rilindja” e Shqipërisë: nëse do mbetet në pushtet duke mos bërë asgjë më shumë se sa për çdo ditë të na e rikujtojë sa e kanë dëmtuar vendin dhe sa të paaftë e të këqij kanë qenë humbësit e zgjedhjeve.

Por sidoqoftë, Kosova i dëshmoi mbarë shqiptarisë se ajo nuk është Shqipëri që duron dikush ta tallë atë duke qeverisur me batuta, se ajo nuk është as Maqedoni ku heshtjen shkaku i injorancës e mosdijes e shet si urtësi, pra ajo dëshmoi se ishte dhe mbeti boshti më i shëndosh patriotik e politik i shqiptarisë./arbresh.info/