76 vite nga shkolla e parë shqipe në Preshevë

Më 7 shkurt të vitit 1945 u hap shkolla e parë me mësim në gjuhën shqipe në Preshevë, pas shumë shekujve në robëri. Këtë shkollë e hapi solemnisht Abdulla Krashnica, udhëheqës dhe organizator i LANÇ-së, i cili ende nuk e kishte hequr uniformën e ushtarakut të lartë të asaj armate. Shkolla I filloi mësimet në Villën “LETAFET”, pronë e arsimdashësit dhe atdhetarit Abdulla Haxhi Veliut.Mendoj se kjo ndërtesë duhet të shndërrohet në muze të arsimit dhe të kulturës shqiptare të Preshevës. Mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin: Hilmi Qerimi, Nazmi Mustafa, Abdulla Ukshini, Tajar Zylfiu nga Elbasani etj. Ky flakadan i ndezur i diturisë u përhap si flaka olimpike dhe përfshiu vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.

Me rastin e hapjes së kësaj shkolle, Abdulla Krashnica kishte thënë: “Rezultatet e kësaj shkolle, këtij tempulli të diturisë, do të përjetësohen pas 40 vitesh”.

Abdulla Krashnica erdhi si meteor, i ndriçoi këto hapësira dhe shkoi në botën e amshueshme dhe nuk arriti t’i realizojë idealet dhe aspiratat e shqiptarëve për liri, barazi dhe bashkim kombëtar, sepse vdekja ishte më e shpejtë. Ndërroi jetë në spitalin e Shkupit më 15 mars të vitit 1945, vetëm 36 ditë pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Preshevë. Vdekja e Abdullahut në moshën 28-vjeçare ka mbetur enigmë e përjetshme me plotë dyshime.

Abdulla Krashnica u radhitë në plejadën e personaliteteve më të shquara që i ka pasur Presheva ndonjëherë. Presheva e ka nderuar dhe akoma e nderon kontributin e tij dhënë kauzës kombëtare, patriotizmin e tij dhe luftën për liri dhe bashkim kombëtar.

Duke filluar nga abetarja dhe 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe në vitin 1945, kemi arritur te Universiteti i Prishtinës 1970 dhe te Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës 1975. Këto të arritura në lëmin e arsimit janë të pa kontestueshme. Në vitin 1948 u hap shkolla tetëvjeçare në Preshevë (quhej Progjimnaz- Gjimnazi i Ulët).

Këtë shkollë e hapi Fehmi Salihu nga Përlepnica e Gjilanit, një arsimtar shembullor dhe atdhetar i devotshëm. Në këtë shkollë vijonin mësimet nxënësit nga fshatrat e Bujanocit dhe të Kumanovës, sepse atje akoma nuk kishte shkolla tetëvjeçare në gjuhën shqipe. Në vitin 1961 në Preshevë u hap edhe gjimnazi. Në këtë shkollë mësimet i vijonin edhe nxënësit nga Kumanova, Bujanoci, Kamenica. Në këtë gjimnaz u pranuan edhe nxënësit e përjashtuar nga gjimnazi i Gjilanit, siç ishin, Rexhep Mala, hero i mëvonshëm i Kosovës, Irfan Shaqiri, ish i burgosur politik, Fatmir Salihu, i biri i arsimtarit tonë Fehmi Salihu, i cili ka qenë i burgosur politik për çështje kombëtare.

Kjo ndodhi kur në gjimnazin e Preshevës drejtor ishte prof.Mustafë Selimi. Kështu, në njëfarë mënyre, Presheva u shndërrua në Voskopojë të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Pas vdekjes së Abdulla Krashnicës, në postin e sekretarit të Rrethit të Preshevës emërohet Selim Selimi, shoku, miku, dhe bashkëluftëtari i Abdulla Krashnicës.