BE-ja synon të vaksinojë 70% të të rriturve deri në qershor

Bashkimi Evropian po synon të vaksinojë kundër koronavirusit 70 për qind të popullsisë së rritur deri në qershor, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, të martën në një konferencë për media. Plani është dakorduar nga të gjithë komisionarët e BE-së.

Blloku filloi vaksinimin tre javë më parë dhe deri më tani ka miratuar dy vaksina, atë nga BioNTech/Pfizer dhe atë të kompanisë Moderna. Por, ritmi i vaksinimit po zvarritet dhe qëndron pas vendeve të tilla si SHBA-ja, Britania e Madhe, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Komisionerja e Shëndetësisë, Stella Kyriakides tha se në bazë të strategjisë së blerjes së përbashkët të BE-së, do të ketë doza të mjaftueshme për të vaksinuar 80 për qind të popullsisë së BE-së prej 450 milionësh.

Ajo pranoi, megjithatë, se “procesi i vaksinimit duhet të përshpejtohet”.

Ndërsa zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas tha se “deri në verë, vendet anëtare duhet të kenë vaksinuar një minimum prej 70 për qind të popullsisë së rritur”. Ai tha se kjo duhet të ndodhë para 1 qershorit.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në një deklaratë se përmbushja e qëllimit prej 70 për qind, brenda katër muajve, të ardhshëm mund të jetë “një pikë kthese në luftën tonë kundër këtij virusi”.