Shpresë për Ballkanin: BE zotohet ta sigurojë vaksinën anti-Covid me kohë

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka bërë të ditur se BE-ja po punon për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në një postim në Twitter, Varhely tha se është duke u bërë përgatitja e vaksinave dhe se BE-ja po qëndron krah për krah me partnerët në Ballkanin Perëndimor në luftën kundër virusit COVID-19.

“Në takimin e sotëm të Komitetit Drejtues të Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, unë gjithashtu konfirmova se po punojmë se si t’i vëmë vaksinat në dispozicion në Ballkanin Perëndimor në kohën e duhur, pasi ato fillojnë të zbatohen në BE. Ne jemi pranë partnerëve tanë,” shkroi Varhely në Twitter.