Trumpi sinjalizon se është i gatshëm të lëshojë Shtëpinë e Bardhë

Donald Trump ka thënë se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Joe Bideni zyrtarisht konfirmohet si president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me votë elektorale.

Presidenti ka refuzuar të pranojë humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit. Të enjten ai u ka thënë gazetarëve se do të jetë e vështirë që të pranojë humbjen, duke përsëritur edhe një herë qëndrimin se në zgjedhje ka pasur mashtrim me vota.

Bideni udhëheq 306:232 në votë elektorale. Kandidatit i duhen 270 vota për të fituar zgjedhjet, ndërsa Bideni po udhëheq edhe në votën popullore me më shumë se 6 milionë vota dallim nga Trumpi.

Të përzgjedhurit do të mblidhen muajin e ardhshëm për të zyrtarizuar rezultatin, me demokratin Joe Biden që pritet të betohet si president më 20 janar.

Presidenti dhe përkrahësit e tij kanë paraqitur ankesa për zgjedhjet, por shumica prej tyre janë refuzuar.

Më herët këtë javë, Trumpi pranoi zyrtarisht nisjen e bartjes së pushtetit tek ekipi i Bidenit, pas disa javësh pasigurie.

“Sigurisht që po, dhe sigurisht që do ta bëj dhe ju e dini këtë”, është përgjigjur ai kur është pyetur nëse do të pajtohet të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse i konfirmohet humbja.

Gjithsesi, ka vazhduar se “nëse e zgjedhin Bidenin, bëjnë gabim”.

“Do të jetë e vështirë të pranojmë humbjen sepse e dimë që ka pasur mashtrim masiv”, ka vazhduar ai duke sugjeruar se s’do ta pranojë humbjen.

Ai s’ka komentuar nëse do të jetë i pranishëm në inaugurimin e Bidenit.

Nën sistemin elektoral të SHBA-së, votuesit nuk e zgjedhin direkt presidentin e ri. Ata votojnë për 538 zyrtarë, që mblidhen nga të gjitha shtetet amerikane bazuar në numrin e popullatës. Të përzgjedhurit gjithmonë thuajse votojnë për kandidatin që ka më shumë vota në shtetin e tyre dhe është pothuajse e pamundshme që të ndodhë e kundërta. Asnjëherë s’ka ndodhur.