Në Kosovë ng sot fillojnë zbatimet e masave që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së koronavirusit, që hyjnë në fuqi sot dhe kufizojnë lëvizjen e qytetarëve në Prishtinë dhe në nëntë komuna të tjera nga ora 19:00 deri në orën 05:00

Tetë persona kanë vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit, ndërsa janë regjistruar edhe 767 raste të reja. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHKP), ky numër i infektimeve del nga testimi i 2 mijë e 178 mostrave.

Rritja e numrit të rasteve të reja dhe ai i të hospitalizuarve ka bërë që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ta vizitojnë Klinikën Infektive. Hoti pas vizitës ka paralajmëruar mbështetje për stafin mjekësor. “Kjo është një situatë praktikisht e luftës, duke u përballur çdo ditë me një rrezik të madh, me viktima”, ka thënë Hoti.

Ai, po ashtu, ka kërkuar që të rritet efikasiteti në ofrimin e shërbimeve në Qendrën Klinike Universitare dhe nëpër spitalet rajonale, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të valës së dytë të pandemisë. Aty u ritheksua edhe nevoja për furnizim më të mirë me barna. “Jemi duke bërë përpjekje maksimale bashkë me stafin mjekësor që të përmirësojmë furnizimin me oksigjen, të adaptojmë klinikat me shtretër shtesë, të angazhojmë krejt stafin, mjekë nëpër fusha të ndryshme, që të bëjnë punën ekipore për t’iu dalë në ndihmë pacientëve”, ka shtuar kryeministri Hoti.