Artistët shqiptarë dominojnë në “NRJ Music Awards”

Eventi i madh i ndarjes së çmimeve të muzikës në Francë, “NRJ Music Awards” është gati për një edicion të ri.

Një ngjarje disi e veçantë duke pasur parasysh situatën aktuale që po kalon Franca dhe bota për shkak të pandemisë, por gjithsesi ceremonia do të shpërblejë artistët që ishin të suksesshëm gjatë vitit.

Për këtë edicion të vitit 2020, artistët e nominuar për NRJ Music Awards janë ndarë në 14 kategori, fituesit e të cilave do të njihen gjatë gjithë mbrëmjes.

Ditë më parë u bë e ditur se DJ Regard me prejardhje nga Kosova, ishte nominuar në kategorinë “DJ më i mirë i vitit”, krah emrave të njohur të muizkës elektronike si: Calvin Harris, David Guetta, DJ Snake, Kygo, Openbach dhe Robin Schulz.

Por pas nuk mbesin as këngëtaret shqiptare me famë ndërkombëtare: Dua Lipa dhe Ava Max, të cilat në këtë event janë nominuar në më shumë se një kategori.

Këngëtarja nga Shqipëria, Ava Max, konkurron për çmimet: “Artistja më e mirë ndërkombëtare e vitit”, dhe “Kënga më e mirë ndërkombëtare e vitit” për këngën e saj shumë të suksesshme ‘Kings and Queen’.

Ndërkohë, edhe Dua Lipa është e nonminuar në tri kategori sivjet në NRJ Music Awards, në dy prej të cilave gjendet në të njëjtën kategori me Ava Max-in.

Dua është nominuar për çmimet: “Artistja më e mirë ndërkombëtare e vitit”, “Kënga më e mirë ndërkombëtare e vitit” për këngën ‘Physical’ dhe “Klipi më i mirë i vitit” për klipin ‘Physical’./KultPlus