Fundi i Lindjes të Mesdhe dhe fillimi i Lindjes së Mesme të Re!

Nga tani, Lindjen e Mesme lirisht quane Lindja e Mesme e Re. Ajo ka marrë formë krejtësisht tjetër. Krejtësisht të re. Asgjë më nuk funksionon si më parë. Vendet arabe tani më definitivisht nuk kanë asgjë në dorë. Asnjë shtet arab, që nga kufijtë me Iranin e deri tek brigjet e Atlantikut më nuk është siç ka qenë në 100 vjetët e fundit. Jo që deri më tani ishin faktorë, por tani më janë edhe më pak. Si në politikat e brendshme, si në ato të jashtme.

Shkruan: Mustafa Bajrami

Tri fuqi të reja do të vendosin për rajonin. Izraeli, Franca dhe Turqia. Këto tri fuqi po bëhen “zëvendësuese” të ndikimit të deritanishëm të SHBA-ve. Ka mbetur të mësohet se cila prej tyre do të jetë më vendimarrësja për rajonin.

Izraeli i ndihmuar nga SHBA-të dhe i “financuar” nga vendet arabe të pasura me naftë, është bërë faktor i padiskutueshëm. Franca me përvojat e saj në eksploatimin e Lindjes së Mesme ka përgatitur politika të reja dhe shumë efikase për tu kthyer sërish në vendet e nxehta poshtë Mesdheut. Ndërsa Turqia, si fuqi imponuese dhe padëshiruar nga dy të para, por jo vetëm, po bënë çdo gjë që është e mundur të jetë faktor determinant në Lindje të Mesme; me mjete dhe indistri ushtarake, me industri të ushqimit, veshmbathje, ndërtimtari dhe duke “përdorur” lidhjen fetare me popujt arab. Mund të thuhet se edhe ajo tani më është akomoduar gjithandej në botën arabe.

Sa do që Egjipti ishte një faktor pretendues për të thënë ndonjë fjalë të madhe në rajon, ai më se ka fuqinë të vendos jashtë kufijve të vetë, e as është i pranueshëm nga shoqëritë arabe. Pikërisht për shkak të gjeneral el-Sisit. Iraku i pasur me naftë mezi po mbijeton, Siria ka marrë fund edhe për 100 vjetët e ardhshme, Libani është në dorë të Francës, Jemeni e Sudani po ballafaqohen me uri, Libia de-facto nga dje u nda së paku në dy pjesë, Algjeria e Mauritania zaten nuk kanë pasur ndonjë rol, Tunisi gjithashtu, ndërsa Maroko vazhdon të ballafaqohet me probleme të rënda si për shembull me Saharanë Perëndimore dhe me Polisarion.

Nga ana tjetër, shtetet arabe të Gjirit të pasura me naftë, të cilat më garojnë mes vete se cila po bënë rrokaqiej më të lartë, cila po blenë hotele më të shtrenjta në botë, eventualisht ekipe të futbollit, ato fare pak po gjejnë kohë të interesohen për politika afatgjata të dobishme për popujt e tyre.

Bota Arabe, me sa duket edhe në këtë shekull do të jetë jashtë margjinave ndërkombëtare. Aq më keq, kjo botë arabe që dikur ishte shoqëri unike, më nuk është në gjendje të vendos as për popujt e vetë të ndarë dhe të gjithë në luftë kundër njëri tjetrit. Lëre më të jetë ndonjë faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.

Lindja e Mesme dhe të gjitha vendet tjera arabe kaq keq kështu dhe kaq të copëtuar ishin vetëm para ardhjes së Islamit. Islami ishte fuqia që i bashkoi dhe i bëri faktorë, që nga fillimi i përhapjes së tij, e deri në njëqind vjetë më parë…!