Rrëfimi i familjarit të kosovarëve që vdiqën aksidentalisht në Gjermani, tregon si shpëtoi mrekullisht 14-vjeçar

Dy vëllezër nga Komuna e Deçanit, kanë vdekur mëngjesin e djeshëm në Gjermani pasi ishin goditur nga treni.

Të dy të rinjtë po tentonin që të kapnin trenin i cili ishte në stacion, për këtë arsye të dy kishin vrapuar drejt shinave.

Ata u goditën nga një tren që po vinte drejt Mynihut dhe lëndimet e marra ishin fatale pas goditjes.

Mehmet Arifaj, familjar i afërm i viktimave ka treguar se në momentin tragjik, bashkë me ta kishte qenë edhe djali i dytë i cili i ka shpëtuar aksidentit tragjik.

“Nëna e tyre ka qenë me ata dhe e ka dëgjuar tragjedinë. Si kam dëgjuar unë, ajo ka rënë në shok. Djali i dytë ka qenë me ata. Ka dashur zoti, ka pasur ymër është ndal dhe nuk ka vrapuar. Ky është 14-vjeçar, i madhi 17-vjeçar ndërsa i vogli 13-vjeçar. Treni i cili kanë pasur ata për të shkuar në shkollë e kanë parë aty të ndalur. Ata kanë menduar se treni po ikë. Nuk kanë pritur fare duke i tejkaluar laurat tek hekurudha. Nuk e kanë menduar trenin tjetër që po vinte. Nuk e kanë parë duke ardhur dhe kanë vrapuar ku janë goditur më pas nga ky tren”, ka thënë Arifaj për Klan Kosova.

Familjari i viktimave bën të ditur se trupat e viktimave janë nisur nga Gjermania për në Kosovë, ku nesër do të kryhet varrimi i tyre.

“Sonte janë nisur nga Gjermania kufomat e tyre dhe do të mbërrin në Kosovë. Në varrim pritet të ketë numër të madh të pjesëmarrësve”, ka thënë ai.