Odaloviq: Hapja e arkivave ndihmon në çështjen e të pagjeturve

Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit në Qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviq, e vlerëson si shumë të rëndësishme faktin që çështja e të zhdukurve është përfshirë në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator, nga Kosova dhe Serbia.

“Na duhet një shtytje e re, një cilësi e re në atë që bëjmë dhe kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që kjo çështje është njohur në Uashington dhe Bruksel”, thotë Odaloviq në një interviste për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Në dokumentet e nënshkruara nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Uashington, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, të dyja palët janë zotuar se do të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur.

Ndërsa në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, palët kanë diskutuar së fundmi edhe për çështjen e të zhdukurve.

Odaloviq kërkon mbështetje ndërkombëtare, e cila do të përfshinte hapjen e arkivave të organizatave ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë. Ai ka përmendur arkivat e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), misionit të NATO-s (KFOR) si dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), por edhe të Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, të cilat sipas tij, përmbajnë shumë dokumente që mund të ndihmojnë në kërkimin e personave të zhdukur.

Ai thotë se pala serbe do të vazhdojë të bëjë kërkime në arkivat e veta, por që i është kërkuar edhe Prishtinës të ofrojë përgjigjje për arkivat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tash mund të jenë në pronësi të ndonjë institucioni në Kosovë.

“Ne kontrolluam arkivat për dhjetë, 15 vjet dhe çdo dokument që gjetëm e vendosëm në funksion të kërkimit (të personave të zhdukur, v.j.) Ne do të kërkojmë më shumë dhe kjo është ajo për të cilën kemi mbështetje. Por, nga pala tjetër nuk kemi pasur asnjë dokument apo arkiv të vetëm, dhe shpesh jemi të bindur se ekzistojnë video-incizime që Prishtina i ka në dispozicion”, thotë Odaloviq, i cili po ashtu konfirmon se gjatë kësaj jave, me kërkesë të Prishtinës dhe sipas informacionit që ata kanë, pala serbe do të kërkojë një lokacion afër Novi Pazarit, i cili quhet Kozarevo.

“Ne do të vazhdojmë edhe në – shpresoj se kushtet e motit do të na lejojnë – Kizhevak (afër Rashkës) javën e ardhshme. Ne ishim disa ditë më parë në një lokacion afër Sjenicës, ku Prishtina gjithashtu ka informacione rreth një vendi të mundshëm. Pra, këto janë aktivitetet që zhvillohen në vendin tone”, tha Odaloviq, duke shtuar se një aspekt i rëndësishëm për zbulimin e varrezave janë edhe imazhet satelitore për çka ai ka kërkuar ndihmën e zyrtarëve të ambasadës amerikane.

Sipas të dhënave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë 1,643 të persona të pagjetur si pasojë e konfliktit të fundit në Kosovë, 21 vjet më parë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në vazhdimësi kanë akuzuar palën serbe për fshehjen e informacioneve për vendndodhjen e varrezave masive.

Së fundmi qeveria e Kosovës përmes një deklarate ndër të tjera ka thënë se “Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”.