Emigrantja nga Afganistani në Shqipëri: Nuk dua ushqim dhe para, dua një shkollë

Kalimi tranzit i klandestinëve përmes Shqipërisë vijon të mbetet një prej fenomeneve më të dukshme. Thuajse çdo ditë vërehen grupe të tilla emigrantësh që vijnë nga Greqia dhe përmes Shkodrës, kalojnë drejt Malit të Zi, siç ka ndodhur me këtë grup shtetasish nga Afganistani, që u ndalua nga Policia e Pogradecit.

“Kemi ecur për 9 ditë. Do të shkojmë në Tiranë, më pas në Shkodër dhe më tej në një shtet tjetër”, tregon një emigrant.

Pjesa dërrmuese e këtyre emigrantëve janë meshkuj dhe synojnë të shkojnë në vendet europiane, kryesisht për të gjetur një punë që siguron të ardhura për të përballur jetesën. Por, një e re nga Afganistani, mbi të gjitha, kërkon të arsimohet.

“Duam të shkojmë në një vend më të mirë, sepse duam të mësojmë. Kemi nevojë për shkollë. Unë jam kaq e re, dua një shkollë, kam nevojë për një shkollë, nuk dua ushqim, nuk dua para, por ju nuk e kuptoni dot”.

Ajo është e ndërgjegjshme për paragjykimin që iu bëhet këtyre emigrantëve. “Është shumë e vështirë për ne. Na ka marrë policia, por ne nuk jemi terroristë”.

Prej më shumëse një viti, në Shqipëri vepron Agjencia Europiane e Mbrojtjes së Kufijve, FRONTEX, e cila ka instaluar oficerët e saj në vijën kufitare me Greqinë, ndërsa së fundmi caktoi edhe ekspertë në Malin e Zi, për kontrolluar fluksin e emigrantëve që vijnë nga Shqipëria. Mbi 20 mijë shtetas nga Siria, Afganistani dhe të kombësive të tjera janë ndaluar përgjatë këtyre muajve në Shqipëri, ndërsa janë arrestuar dhjetëra persona që i transportonin ata në mënyrë të paligjshme.