Fitues kryesor i ngjarjes në Washington është Serbia

Shkruan: Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari

“Marrëveshje” johistorike

Katër dokumentet e nënshkruara më 4 shtator 2020 në Vashington nuk janë marrëveshje ndërkombëtare. Fjala është për dy Letra të nënshkruara nga Presidenti Trump, njëra drejtuar kryeministrit Hoti dhe tjetra drejtuar presidentit serb Vuçiq, një tekst i nënshkruar nga kryeministri Hoti me titullin “Normalizimi ekonomik” dhe një tekst tjetër me përmbajtje pothuajse identike, i nënshkruar nga presidenti serb Vuçiq. Këto tekste dhe Letrat e presidentit Trump nuk mund të dërgohen në parlamentet respektive për ratifikim sepse nuk janë marrëveshje ndërkombëtare, as ndërshtetërore, dhe nuk kanë pasoja legale dhe obligime ligjore. Në kontekst profesional dokumentet e tilla mund t’i kualifikojmë si “marrëveshje gjentëlmene”, pra marrëveshje joformale dhe juridikisht jo-detyruese midis palëve.

Në rrafshin përmbajtësor titulli i dokumentit “Normalizimi ekonomik” nuk i përgjigjet përmbajtjes së tij. Një pjesë e mirë e tekstit nuk ka asnjë lidhje me ekonominë, madje disa prej pasuseve nuk kanë asnjë lidhje as me zhvillimet në rajon.

Fitues kryesor i ngjarjes në Vashington është Serbia. Për Serbinë krijohet hapësirë shumë e madhe për depërtimin e mallrave serbe në Kosovë përmes autostradës Beograd-Prishtinë, infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë, me një port në Adriatik, prezencës ndërkombëtare të Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit Ndërkombëtar në Beograd, sigurohet involvimi i drejtpërdrejtë për të gjetur zgjidhje dhe fizibilitet për Liqenin e Ujmanit, realizon idenë e saj për mini-shengenin (përmes të cilës lehtësohet depërtimi i mallrave serbe gjithandej në rajon), rishikimin e pasagjerëve në linjat ajrore dhe shkëmbimin e informacioneve në lidhje me ta, mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, ka siguruar rënien dakord të Kosovës për të zbatuar moratiorium një vjeçar duke mos kërkuar anëtarësim të ri në Organizatat Ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje për refugjatët dhe personat e zhvendosur etj.

Kosova ka bërë koncesione të papritura në Vashington: Ka pranuar që të mos futet asnjë pasus në lidhje me njohjen e ndërsjellë, ka pranuar moratorium njëvjeçar për të mos aplikuar në organizata ndërkombëtare, ka pranuar që Liqeni i Ujmanit të jetë objekt diskutimi, ka pranuar idenë serbe për minishengenin ballkanik, i cili e dëmton rëndë sistemin e të hyrave bugjetore në Kosovë. Kosova ka fituar përsëritjen e premtimeve serbe prej vitesh për funksionalizimin e pikës kufitare në Merdare (një premtim i kahmotshëm i Serbisë!), premtimin serb për njohjen e diplomave dhe çertifikatave profesionale, zotimin serb për të përshpejtuar përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur etj. Ajo që është e re në premtimin serb është ai për moratoriumin një-vjeçar të fushatës së saj për çnjohjen e Republikës së Kosovës. Kurse suksesi i vetëm i plotë i Kosovës në takimin e Vashingtonit është njohja nga Izraeli, i cili zhvillim nuk ka asgjë të bëjë me Serbinë dhe raportet shqiptaro-serbe.

Për një studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare është lehtë e identifikueshme se Administrata e presidentit Trump ka pasur për qëllim të realizojë edhe interesat e saj elektorale, politike dhe gjeopolitike. Duke e nënshkruar marrëveshjen dy muaj para zgjedhjeve, presidenti Trump ka synuar të transmetoj te publiku amerikan aftësinë e tij për negocim në kriza të komplikuara ndërkombëtare. Ai ka arritur të bind të dy palët për të ndaluar përdorimin e pajisjeve kineze 5G në rrjetet e tyre të komunikimit, ka nxitur dekriminalizimin e homoseksualizmit, kthimin e pasurisë hebreje të trashëgimisë të epokës së Holokaustit dhe shpalljen e Hizbollahut si organizatë terroriste.

Bazuar në tekstin e marrëveshjes, përmbajtjen e tij dhe mangësitë profesionale në tekst, nocioni që u përdor për kualifikimin e saj si “marrëveshje historike” është krejtësisht i pabazë.