Analisti serb: Në Washington do të propozohet një formë e Republikës Serbe në Kosovë

Delegacioni i Kosovës tashmë ka arritur në Washington, derisa delegacioni serb pritet të udhëtojë atje të mërkurën, gjersa të gjithë ende po pyesin se çfarë saktësisht do të diskutohet në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

Darko Trifunoviq, drejtor i Institutit për Sigurinë Kombëtare dhe Ndërkombëtare, beson se Serbia do të marrë një ofertë befasuese në Uashington.

“Serbisë do t’i ofrohet ajo që nuk mund të refuzojë dhe ajo nuk di se si ta pranojë, një formë të Republikës Srpska, dhe kjo është një ofertë me të cilën të gjithë mund të jenë të kënaqur, por po ashtu të gjithë mund të jenë të pakënaqur”, thotë Trifunoviq për Kosovo Online transmeton Reporteri.

I pyetur se pse mendon që modeli i Republikës Srpska do të jetë në tryezë në Shtëpinë e Bardhë, Trifunoviq thotë se ky do të jetë një kusht që Serbia ta njohë Kosovën.

Sipas tij një ofertë e tillë do të mund të jetë e pranueshme për Serbinë.

“Le të mendojmë pak dhe ta pranojmë. Ne jemi pala e mundur nga viti 1999. Me marrëveshjen e Kumanovës, kemi rënë dakord të tërheqim ushtrinë dhe policinë, dhe ku është populli serb tani në Kosovë dhe Metohi? Por le të presim dhe të shohim se si do të reagojnë përfaqësuesit e Kosovës nëse oferta është formimi i RS-së. Ne duhet të kërkojmë një status më të mirë për serbët në Kosovë”, shprehet ai.

Në takimin që do të mbahet të premten, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Avdullah Hoti do të shoqërohet nga zv. kryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi dhe Arban Abrashi dhe shefja e kabinetit Ardita Dushi.