Rouhani i bën thirrje EBA-së: Korrigjoni gabimin

“Marrëveshja është një gabim dhe një tradhti e madhe. Shpresoj që të dëgjojnë paralajmërimet dhe të kthehen nga rruga e gabuar”, tha Rouhani.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, duke reaguar ndaj marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izrelit ai i bëri thirrje EBA-së që të “korrigjojë gabimin”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas televizionit shtetëror të Iranit, duke folur në mbledhjen e Këshillit kombëtar për luftën kundër koronavirusit (COVID-19), Rouhani tha se “I paralajmërojmë këta. Mos krijoni hapësirë për Izraelin në rajon. Në të kundërtën do të gjeni përgjigje të ndryshme”.

“Marrëveshja është një gabim dhe një tradhti e madhe. Shpresoj që të dëgjojnë paralajmërimet dhe të kthehen nga rruga e gabuar”, tha Rouhani.

Marrëveshja për normalizim mes EBA-së dhe Izraelit

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të enjten më 13 gusht njoftoi se Izraeli dhe EBA kanë arritur një marrëveshje për të “normalizuar plotësisht marrëdhëniet”. Po ashtu edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nga llogaria e tij në median sociale, duke cituar postimin e Trumpit, tha se “Sot është një ditë historike”.

Ndërkaq, në lajmin e agjencisë zyrtare WAM të EBA-së thuhej se dy vendet janë dakorduar për “përcaktimin e një udhërrëfimi të përbashkët” për ndërtimin e marrëdhënieve dhe se zyrtarët e të dyja vendeve do të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme në takimet në javët e ardhshme.

EBA, pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë në vitin 1994, është vendi i tretë arab që nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.