Beqaj: Qeveria Hoti, produkt i skenarit amerikan

Sipas analistit Behlul Beqaj, Qeveria aktuale e Avdullah Hotit është produkt i “skenarit amerikan”, që pësoi goditje të rëndë më 27 qershor. Në DESKU të KTV-së, ai në të njëjtën kohë ka thënë se ka qenë e gabuar qasja uniletaraliste e SHBA-së, duke udhëzuar BE-në që të mos e bëjë të njëjtën.

“Nëse ka qenë gabim njëanshmëria… mendoj se Qeveria aktuale e Hotit është produkt i skenarit amerikan. Më 27 qershor, skenari amerikan përjetoi goditje, është vështirë të konsolidohet, por s’besoj se kanë hequr dorë. Për faktin se nuk kanë hequr dorë, do të ishte gabim që Bashkimi Evropian, për të mos e përsëritur gabimin e Grenellit, të mos e ofrojë dorën e bashkëpunimit”, ka thënë ai.

Beqaj e ka quajtur gabim qasjen e të dërguarit të posaçëm të administratës Trump, Richard Grenell që dialogun deshi ta përfundojë në mënyrë unilaterale. Një qasje e njëjtë e BE-së, si ka thënë ai, nuk është sinjal pozitiv. Aq më pak, kur Grenelli shfaqi gatishmëri të rishikimit të qasjes së tij.

“Mendoj se nëse ka qenë njëlloj gabimi dinamika të cilën e potencoi pa arsye reale ambasadori Grenell, që të përshpejtohet procesi me një epilog përfundimtar, më duket se edhe vazhdimi i dialogut të nesërm ma len njëfarë përshtypjeje të revanshizmit”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.

Kështu, sipas Beqajt, nga një gabim i madh po kalohet në gabim të vogël.

E zgjidhja më e mirë, thotë ai, është bashkëpunimi SHBA-BE.

“Ngase, nëse është gabim të marrësh anë, si mori kryeministri jonë duke e mbështetur SHBA-në, tani e ka vështirë të merret me zbatimin e kërkesave që vijnë nga ana e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Beqaj këshillon që të ketë gatishmëri për veprime të përbashkëta gjatë takimeve të radhës.

Në të kundërtën, si ka thënë ai, “vetëm mund të krekosemi me fotografi në takime të shumta”.