Virusi ndryshon fushatat elektorale në SHBA, Biden nuk do të mbajë tubime

Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden nuk do të mbajë takime elektorale gjatë fushatës presidenciale për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Biden doli me një deklaratë për shtyp në Delaware ku njoftoi vendimin e tij.

“Kjo është një fushatë elektorale e pazakontë për historinë moderne”, u shpreh Biden.

Mes të tjerash, Biden tha përpara reporterëve se do të ndjekë urdhrat e mjekëve për të mbrojtur veten dhe mbështetësit e tij dhe për këtë arsye nuk do të ketë tubime.

Ndryshe nga rivali i tij, presidenti Trump organizoi një tubim në Tulsa të Oklahomës disa ditë më parë dhe pjesëmarrja e mbështetësve ishte shumë e ulët. Për këtë arsye dhe organizatorët e fushatës së tij nuk kanë folur për data të tjera takimesh të ngjashme.