Kthimi i dosjes për rigjykim/Tahiri: S’jam vetëm unë që duhet të përballem

Gjykata e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot të kthejë për rigjykim dosjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Në fakt kthimi i dosjes në shkallën e parë nënkupton se Tahiri mund të përfitojë sërish nga gjykimi i shkurtuar.

Megjithatë Tahiri deklaroi në dyert e gjykatës se ai është i gatshëm edhe për një proces jo të shkurtuar pasi nuk është vetëm ai që duhet të përballet me drejtësinë.

“Ika dhe nga deputetllëku vetëm për t’u përballur me drejtësinë si qytetar. Ja ka vlejtur gjithmonë që të përballem si qytetar, jo si ato vemjet e tjera. Unë jam përballur si qytetar. As më shkon në mend t’i shkoj me gjykim të shkurtuar këtij procesi, por me prova me dëshmitarë, me lista, s’jam vetëm unë që duhet të përballem. Jam i dedikuar për këtë proces është jeta ime nuk është një ditë pune. Pas asnjë diskutim do të gjej një mënyrë për ta përballur siç duhet.”, tha Tahiri.

Ai tha gjithashtu se në kohën që ishte ministër i dërgonte presidentit të asaj kohe listat e gjyqtrëve që shkelinin ligjin sipas tij.

“Çdo javë i dërgoja presidentit lista të emrave të gjyqtarëve që shkelin më parë ligjin, kur drejtoja ministrinë e Brendshme. nuk kam bërë kompromise në kurriz të askujt, nëse kjo do kthehet mbrapsht unë prapë në këmbë do jem. Me Veting janë gjyqtarët që më gjykojnë, më intereson drejtësia, kam luftuar edhe pse kam bërë gabime. Jam të drejtë atyre që më paragjykojnë pse nuk futem në burg, ju garantoj nuk kam bërë asnjë faj”, shtoi Tahiri. /opinion.al