Në Bullgari për t’i joshur turistët, ofrojnë çadra e shtretër pa pagesë

23 plazhe në Bullgari do të ofrojnë çadra dhe shtretër pa pagesë, ka njoftuar ministrja e turizmit të këtij vendi, Nikolina Angelkova.

Para fillimit të sezonit të verës, që sipas ekspertëve dhe shteteve do të jetë i vështirë dhe ndryshe nga e kaluara, Angelkova ka mbajtur takime të shumta me përfaqësuesit e sektorit të turizmit.

Në Bullgari në fillim të vitit kanë llogaritur në rritje të turizmit prej 10 për qind, por kriza e papritur me koronavirus, ka ndryshuar rrënjësisht gjërat.

Në Bullgari llogarisin në turistë nga vende të afërta me të. Ministrja Angelkova ka thënë se për joshje të turistëve nga vende tjera më të largëta është shumë me rëndësi që të subvencionohen fluturimet çarter.

Por llogaritet shumë edhe në turistët e vendit, që do t’iu ofrohet çmim më i ultë për shërbime të plazhit.

“Po bëjmë çdo gjë për të joshur turistët dhe të lehtësojmë funksionimin e sektorit që është prej më të goditurve nga kriza globale”, ka thënë Angelkova.

“Një prej masave më të rëndësishme është për uljen e çmimeve për çadra dhe shtretër në plazhe. Ato duhet të jenë të paktën 50 për qind më lirë se vitin e kaluar”.

Në 23 prej 132 plazheve çadrat dhe shtretërit do të jenë gratis, ndërsa në të tjerat çmimi do të jetë prej 1 deri në 5 leva (0,5 deri në 2,5 euro).

Plazhet më të njohura do të kenë çmim minimal për çadra dhe shtretër.