“Patkoi” antishqiptar – plani i fshehtë serb

Dimensioni i politikave antishqiptare serbe riciklohet në qëllimet e krimit dhe të pushtimit të hapësirave etnike shqiptare, madje jo vetëm, varësisht nga rrethanat që shfaqen brenda dhe jashtë Serbisë. Janë të çuditshme “riciklimet” e këtilla serbe që zhvillohen pa ndërprerë, si në kohëra të paqes, dhe si në kohëra të krizave dhe luftërave.

Synimet asimiluese dhe pushtuese serbe ndaj joserbëve përfshijnë çdo dimension: që prej joshjeve politike dhe ekonomike e deri te dhuna, akulturimi, asimilimi gjuhësor dhe fetar, pushtimi ekonomik, ushtarak e të tjera. Gjatë dy shekujve, XIX dhe XX, janë të njohura së paku katër luftëra pushtuese (1876-78, 191213, 1944-45, 1998-99), që Beogradi ka zhvilluar kundër shqiptarëve etnikë. Askush nuk e di se sa është pesha e krimeve dhe e pasojave të gjithanshme demografike, kulturore, politike, ekonomike e të tjera, ndërsa që dihet se para vitit 1876, vendbanimet shqiptare shtriheshin deri në Velika Pllanë, vendbanim ky që i bie krejt afër Beogradit.

Mbi qëllimin e “tokës së djegur” për spastrim etnik në Kosovë

E parë në retrospektivë, politika makiaveliste serbe ia ka arritur që t’i vjelë frytet e veta të krimit dhe të pushtimit. Objektiv i këtyre “fryteve”, ka qenë zgjerimi territorial serb, i bërë kryesisht në jug – perëndim të Gadishullit Ballkanik (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnjë- Hercegovinë, dhe Kroaci), prej atij që njihet si bërthama e shtetit serb “Pashallëku i Beogradit”, i formuar më 1803. Pra, në thelb të politikave serbe, gjithmonë ka qenë territori – toka, dhe asgjë tjetër!

Në anën tjetër, gjatë dy shekujve që i përmendëm më lartë, Beogradi ka ndjekur linjat politike ballkanike që kanë favorizuar synimet ekspansioniste serbe, si dhe linjat evrolindore. Kuptohet, kumbara i një shteti të madh serb, sidomos gjatë shekullit XX, ishte Rusia. Kombinimi i ngjyrave të “rubikonit” politikë pushtues serb nuk është frenuar nga asnjë logjikë dhe mjet: krim, krim dhe vetëm krim…!

Mbi këto kondita, në fakt për të mos vazhduar më tej me shtjellimin e politikës ekspansioniste serbe, u zhvillua edhe lufta e Kosovës (1998 – 99). Prandaj, projekti sekret serb “Patkoi” u përgatit në fshehtësi të madhe në Beograd nga institucionet shtetërore serbe (1998/99). Ishte një nga planet më monstruoze në “historinë” e projekteve të ndryshme antishqiptare me objektivin e fundit strategjik: shpopullimin masiv të territorit të Kosovës nga elementi etnik shqiptar…