Kurti e Meta diskutojnë për forcim të marrëdhënieve në tregti e ekonomi

Situata me koronavirus në Kosovë e Shqipëri, nevoja për forcim të marrëdhënieve në tregti e ekonomi dhe bashkëpunimi në nivel rajonal e ndërkombëtar për përfaqësim, promovim e mbrojtje të interesave të përbashkëta kanë qenë temat e një bisede telefonike mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, dy liderët kanë folur fillimisht për veprimet që dy vendet kanë marrë në parandalimin e përhapjes dhe menaxhimin e infeksioneve të shkaktuar nga koronavirusi dhe për bashkëpunimin që kanë pasur gjatë ballafaqimit me pandeminë.

“Kryeministri në detyrë Kurti e njoftoi Presidentin Meta për vendimet e fundit për lehtësimin e masave dhe rihapjen graduale të ekonomisë. Tutje, gjatë bisedës u diskutua për rëndësinë dhe nevojën për forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve në rrafshin tregtar dhe ekonomik, por edhe bashkëpunimin në nivel rajon dhe ndërkombëtar me qëllim përfaqësimin, promovimin dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

“Në fund, të dy shprehën zotimin dhe gatishmërinë për të pasur komunikim të vazhdueshëm në shërbim të zhvillimit, forcimit dhe avancimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve”, përfundon komunikata.