Tiranë: Në lupën e protestës për shembjen e Teatrit Kombëtar

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar protestuesit po firmosin një peticion, ku kërkojnë që në vendin e teatrit të shembur, 80- vjeꞔar të ngrihet një teatër i ri me arkitekturë identike.

Protesta e drejtuar nga Lëvizja “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” pas shembjes së Teatrit Kombëtar po vazhdon. Në mbështetje të kërkesës së protestuesve janë edhe kryetarët e partive opozitare, Basha dhe Kryemadhi, që premtojë se do ta plotësojnë kërkesën për ngritjen e një teatri të ri me arkitekturë identike, sapo të vijnë në pushtet. Edhe Forumi “Europa Nostra” që para dy muajsh e renditi godinën e shembur ndër 7 ndërtesat më të rrezikuara në Europë që duhej ruajtur për “simbolikën e saj për kulturën kombëtare dhe për gjithë Europën me historinë e saj 80-vjeꞔare po mbështet peticionin.

Por historia është shndrruar tanimë në rrënoja. Rrënojat kanë gjeneruar protesta. Në lupën e tyre po shfaqet situata ku ndodhet shoqëria civile, pushteti, politika dhe drejtësia në Shqipëri.

Qytetarët, hapësira publike dhe pushteti

Qytetarë, aktorë, urbanistë, historianë, arkitektë, të gjithë pjesëtarë në Lëvizjen, “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” luftuan për më shumë se dy vjet që Teatri Kombëtar të mos shembej por të ristruktrohej sipas standarteve europiane. Protesta post-shembje është një vijim i rezistencës së tyre. Qytetarët në sheshin e betejave për publiken kanë munguar në Tiranë që nga protestat e fuqishme të nëntorit 2013, kur kryeministri Rama, i sapo ardhur në pushtet, refuzoi nën presionin e shoqërisë civile kërkesën amerikane për demontimin në territorin e Shqipërisë të armëve kimike nga Siria.

Aleksandër Çipa, analist i pavarur, e sheh si zhvillim të shumëpritur pozitiv pjesëmarrjen e qytetarëve në protestat post-shembje të Teatrit Kombëtar. “Refuzimin, rezistencen dyvjeꞔare për ruajtjen e tij dhe tani maratonën e protestave i vlerësoj si tregues lëvdues të ringritjes së shoqërisë civile. Protestat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë risjellë në një nivel imponues debatin për hapësirën publike, administrimin e saj dhe po trondisin vendimmarrësit tanë shpërfillës” thotë për DW, Aleksandër Çipa.