Arifi për reagimin e Aliut: Ishte një reagim tendencioz dhe i pafalshëm

Mbrëmjen e ditës së djeshme zëvendës kryetari i Alternativës për Ndryshim Armend Aliu, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në FB, shprehu paknaqësitë brenda subjeketit të tij në lidhje me procesin e mbrendshëm garues për deputet në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Aliu deklaroi se kryesia e cila zgjodhi kandidatët potencial për deputet ishte jo legjitime, jo e përgjithshme, por vetëm një maskim i interesave dhe egos të individëve që nuk kanë pik emocioni për APN-në.

Pas këtyre deklarimeve të zv.kryetarit të subjektit në fjalë, para pak çastesh ka reaguar kryetari i APN-së Shqiprim Arifi, duke i konsideruar këto deklarime tendencioze dhe të pafalshme nga ana e z.Aliu, trasnsmeton Ministria Lajmeve.

Z.Arifi në reagimin tij është shprehur se konkursi për shkak të situatës së jashtëzakonshme ka qenë në rrethana pak më ndryshe, duke shpallur një konkurs intern, gjë që u ka mundësuar gjithë anëtarëve të APN’s të shprehin interesimin e kadidaturës së tyre, e këtë ide dhe vendim të po kësaj Kryesie e ka përkrahur, përshendetur dhe votuar edhe z.Aliu.

Sipas z.Arifi për vetë faktin që kjo ide dhe ky vendim ishte pranuar edhe nga vetë z.Aliu nënkuptohej që ishte gjithçka legjitime, po të mos ishte ashtu, zv.kryetari do ta paraqiste shqetësimin e tij qysh atëherë e jo ditëm e djeshmë.

“Siç shihet, lavdërimi im publik në fushatën parazgjedhore më 2017-tën ndaj zv. kryetarit, nuk i ka bërë mirë”– ka shkruar z.Arifi

Postimi i plotë :

Të dashur anëtarë të Alternativës për Ndryshim,
Të nderuar miq e dashamirë të ALTERNATIVËS sonë,

Unifikimi i politikës shqiptare përmes një liste të përbashkët politike – programore për pjesëmarrje në zgjedhjet paralamentare, qysh nga fillimi i ALTERNATIVË-s, ka qenë një nga pikësynimet tona politike. Jo vetëm për arsyen që partitë e vjetra kanë dështuar 20 vite ta realizojnë një listë të tillë, por edhe për shkak të rëndësisë politike mbarëkombëtare shqiptare.

Së fundmi, ALTERNATIVA ka qenë faktori kryesor, për të ndërtuar këtë listë dhe për të realizuar një nga pikësynimet e saj politike. Vetë emri i listës ALTERNATIVA SHQIPTARE DEMOKRATIKE, e bën të qartë se ku ka filluar gjithçka, e më pastaj nuk ka qenë e as që është me rëndësi se kush është emëruar si perfaques i LISTËS sonë të përbashkët.

Në tre dekadat e fundit, kandidatët për deputet në zgjedhjet parlamentare janë dominuar nga një parti politike dhe emëruar nga një person i vetëm, që dihet fare mirë për opinionin e gjerë se cila e kush. Pastaj, e tëra i përngjante më shumë një veprimtarie administrative e byrokratike, ku zëri i popullatës sonë dhe nevojave tona, kishte marrë një nuanc të pasivitetit dhe joproduktivitetit, përkundër nevojave e problemeve tona, si shqiptarë të këtyre trojeve. Një dështim total i këtij subjekti, me të cilin ka dëshpëruar qytetarët tanë ndër dekada, që me mekanizmin e mundshëm të deputetit, të arrihej diçka e mirë në interes të shqiptarëve.

Tani ALTERNATIVA duke mësuar nga e kaluara e dështimeve të partive të vjetra dhe duke vazhduar me ndërtimin e standardeve të reja politike, si brenda poashtu edhe jashtë saj, sidomos duke e dëshmuar në pushtetin lokal me suksese të larta, në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pak para shpalljes së gjendjes së jashtzakonshme, APN ka vendosur që të shpallë konkurs intern, për të gjithë anëtarët, apo edhe simpatizantët e ALTERNATIVË-s, të cilët kanë interesim për të kandiduar si deputet të mundshëm.

Idenë e konkursit dhe këtë vendim të po kësaj Kryesie e ka përkrahur, përshendetur dhe votuar edhe zv. kryetari i tanishëm. Pra, asokohe si Kryesia por dhe procedura për shpalljen e konkursit intern dhe autoriteti i kësaj Kryesie në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, ishte legjitim. Përndryshe, këtë që e ka publikuar dje, do ta kishte publikuar qysh atëherë, apo së paku do ta kishte shprehur shqetësimin e djeshëm qysh atëherë, gjë që nuk ka ndodhur. Por, me atë publikim, sikur u tentua të pengohej puna e Kryesisë, apo të ndikohej artificialisht në rezultatin e përzgjedhjes së kandidatëve, gjë që nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra.

Kjo është më tepër se “cirk”, është tendencioze dhe e pafalshme. Edhe më shumë befasuese është kur thirret në legjitimitet të Kryesisë apo jo, kur i njejti në fjalë, e din fare mirë se nga 18 anëtarët e Kryesisë, 3 anëtarë për shkak të angazhimeve të tyre në pozita të udhëheqjes së institucioneve publike, kanë dhënë dorëheqje (standard i ALTERNATIVË-s); 3 anëtarë të tjerë janë larguar nga Kryesia, ndërsa një anëtar ka migruar në Gjermani, që nënkupton që mbesin 11, gjë për të cilën edhe zëvendësi i APN-së ka qenë në dijeni dhe ka votuar në këso situata.
Nga këta 11 anëtarë, në mbledhjen e mbrëmshme kanë qenë prezent 8 anëtarë, ku çuditërisht vetë zëvendësi dhe një anëtar tjetër i Kryesisë, që kanë konkuruar për deputet, nuk kanë qenë prezent. I pari në fjalë biles pak para fillimit të mbledhjes ka përdorur mediat sociale për të shprehur mendimin e tij tendencioz dhe dezinformues ndaj strukturës së partisë, në vend se të ishte prezent në mbledhje të Kryesisë.

E theksoj dhe një herë që është e pafalshme dhe tendencioze.
Nga 11 anëtarët e Kryesisë, kanë votuar 8 anëtarë, ku z. Argjend Bajrami ka marrë gjithsejt 6 vota.

Është interesante që në këtë konkurs kemi vërejtur një interesim të lartë nga qarqe të ndryshme. Disa media të financuara nga oponentët tanë politik (e të mbështetura drejtëpërdrejtë nga Beogradi), tashmë të njohur për opinionin këta FAKENEWS, kanë ndërprerë programin e tyre ditor të shpifjeve, për të hapur sondazhe drejtë përcaktimit tonë për kandidatin e mundshëm, por nuk kanë munguar edhe mbështetjet e drejtpërdrejta të eksponentëve opozitar dhe bizneseve të caktuar, sidomos për njërin apo tjetrin kandidat të subjektit tonë, e gjithë kjo sipas motos “nuk pata mundësinë të zgjedh në partinë time, tani po zgjedh tek ju dhe po mundohem të përçaj, sepse ndryshe nuk mundemi të ju mundim”. Sidoqoftë, janë tipare dhe karakeristikë e asaj që demonstron se ALTERNATIVA nuk jemi si ata. Por, duhet theksuar se ata po synojnë dhe implikojnë në maksimum konsumin e përçarjeve dhe diferencimeve politike.

Pesë vite më parë, ne nuk kemi themeluar organizatë politike të zarfeve, aklamacioneve dhe formave tjera feudale politike (kërcënimeve të cilat janë bërë të zakonshme ndaj partisë, edhe në këtë proces të përzgjedhjes së kandidatit për deputet, për të realizuar një interes personal, siç është tani më traditë në Luginë), e as nuk kam përkrahur raste të akumulimeve të posteve siç ishte në rend dite tek ata që kanë pagëzuar me emrin “Demokratik/e” subjektin e tyre politik.

E imja ishte, që në zgjedhjet e brendshme për kandidat në listën e përbashkët, të krijoj kushte të përgjithshme të bazuara në drejtësi dhe barazi për të gjithë pjesëmarrësit. Dhe jo rastësisht është ndoshta hera e parë në historinë partiako-politike të dekadave të fundit në Luginën e Preshevës, që të shpallet konkurs intern dhe të kandidojnë disa persona për një funksion të përfaqësuesit politik gjegjësisht atë të deputetit. Andaj, pjesë e këtij procesi demokratik është edhe rezultati, i cili na pëlqen apo nuk na pëlqen, ishte legjitim. Legjitimiteti nuk përcaktohet me bojkot apo pjesëmarrje të kandidatit në proceset zgjedhore dhe as me shpifje dhe kërcënime paraprake, nëse nuk përkon dëshira e tij/e saj me rezultatin e zgjedhjeve.

Janë të vërteta deklarimet e zv. kryetarit për ekzistimin e disa individëve të pakënaqur në mesin tonë, gjë e cila është normale në një strukturë kaq të madhe dhe që egzistojnë edhe me shumë në partitë tjera. Krejt çka mund tani të ju them, është se këta individë të pakënaqur, çdonjëri prej tyre ka të dërguar dhe komunikuar kërkesat e tyre për interesat personale, e deri në kërcënime. Këta pak individë, të cilët ambicjet e tyre i kanë të pangopura, e kanë përshtypjen se përgjegjësia e pushtetit është njëkohësisht pronësia e pushtetit. Në fakt këta persona prezentohen sot si pjesë e subjektit tonë, ndërkaq pak më herët ishin nën akronimin e subjekteve tjera dhe nesër ndoshta mund t`i shohim të shpërndarë nëpër subjekte tjera, si oponent tanë politik.

Komunën nuk e kam trashëguar nga babai im dhe natyrisht se nuk e përceptoj si të tillë, e aq më shumë nuk mund t`i shërbej këtyre cinikëve të pakët me “të mirat” e saj. Unë nuk mundem dhe nuk dua të akomodoj askë mbi mirëqenien publike; prandaj, llomotitjet e tyre në rrjetet sociale apo në kafenet e qytetit, konsideroni si mosplotësime të favoreve nga ana ime për kërkesat e tyre ekstravagante, që në këtë rast edhe të zëvendësit tim, edhe pse duke i gëzuar dy pozita të larta të zv. kryetarit të partisë dhe atë të Komunës, nuk do të thotë që me automatizëm do t’i takonte edhe pozita e deputetit, të cilën me çdo kusht deshti ta merrte, qoftë edhe me presion ndaj Kryesisë, apo në të kundërtën nëpërmjet kontestimit të legjitimitetit të saj.

Siç shihet, lavdërimi im publik në fushatën parazgjedhore më 2017-tën ndaj zv. kryetarit, nuk i ka bërë mirë.

Fati im është fati i qytetarëve të Komunës së Preshevës, fati im nuk është lidhur asnjëherë me funksionin e kryetarit të Komunës e të partisë që ushtroj sot. Funksioni më shumë më ka caktuar pozitën e një shërbëtori publik të qyetatarëve të Komunës sonë. Si rrjedhojë e saj, për veten time nuk mundem asgjë të humbë dhe kurrë nuk kam synuar pushtete të përjetshme siç është zakon në Luginë e më gjërë.

Zgjedhjet e brendshme të Alternativës për Ndryshim kanë filluar me kohë, ndërkaq janë ri-zgjedhur të gjitha njësitë zgjedhore në Komunën e Presheves dhe të Bujanocit. Udhëtimi im zyrtar në Amerikë, Gjendja e jashtëzakonshme lidhur me pandeminë globale Covid-19, zgjedhjet lokale në Bujanoc dhe disa probleme të vogla teknike, kanë ndikuar që zgjedhjet e Këshillit Qendror të përgjithshëm dhe Kryesisë, të shtyhen në javët ardhshme. Por deri ateherë, është juridikisht edhe logjikisht e qartë se Kryesia aktuale i udhëheqë punimet dhe merr vendimet, gjë të cilën deri dje edhe zv. kryetari e ka perkrahur. Pas polemikave të zgjedhjeve për kandidat në listën për deputet të parlamentit serb, kam prioritizuar këtë përfundim të ciklit katër vjeçar të zgjedhjeve të përgjithshme në subjektin tonë. Për këtë së shpejti do t`ju informojm me detajet.

ALTERNATIVA dhe sidomos unë jemi të shquar për lirinë e mendimit të lirë dhe atij kritik, si brenda poashtu dhe jashtë partisë, për demokracinë e avancuar në vendimmarrje për partinë dhe për mos reagimin ndaj shpifjeve të vazhdueshme që na bëhen të gjithë neve. Por, jemi të shquar gjithashtu edhe për mospranimin deceziv ndaj kërcënimeve si nga jashtë, por edhe nga brenda dhe në këtë kontekst, nuk duam të thellojmë edhe më shumë situatën, edhe pse jemi gati për të bërë, për hir të vërtetës dhe qartësisë publike. Çështjet interne janë intetne dhe jo për publikun, pra të kthejmë “konstruktivitetin”, duke respektuar së pari parimet morale, ligjore dhe procedurale me njëri-tjetrin.

Vizioni i ALTERNATIVËS sonë nuk është i lidhur me individë të caktuar, por është synim i progresit gjithëpërfshirës për vendin tonë.

E tëra kjo që u cek më lartë, është vetëm për të qartësuar e jo për të akuzuar apo demantuar dikë, kurse anëtarësia e gjerë e cilëson vetë realitetin e kësaj.

ALTERNATIVË jeni ju!
Shqiprim Arifi
Kryetar i Alternativës për Ndryshim