Fokusi i botës sportive sot është te Gjermania

I gjithë komuniteti sportiv pret që të shtunën (sot) Gjermania të kalojë me suksesin provimin sa i takon kthimit të garave sportive.

Bundesliga bëhet liga e parë e madhe evropiane e futbollit që rifillon pas paraqitjes së koronavirusit.

Të gjitha 18 klubet e elitës së Gjermanisë do të luajnë sërish, ndërsa paraqitjet e tyre mund të jenë katalizator për ligat tjera të futbollit, por edhe të sporteve tjera.

Rregulla strikte të shëndetësisë dhe sigurisë do të zbatohen, ndërsa stadiumet do të jenë të zbrazëta, pa shikues.

Ndeshja kryesore është ajo në mes të Borussia Dortmundit dhe Schalke 04, që fillon në ora 15:30, njëjtë si ndeshjet tjera: Augsburg – Wolfsburg, Fortuna Duesseldorf – Paderborn, Hoffenheim – Hertha, RB Leipzig – Freiburg. Prej orës 18:30 sot është ndeshja në mes të Eintracht Frankfurtit dhe Borussia Moenchengladbachut. Ndeshje tjera luhen të dielën e të hënën.

“Me shumë mundësi do të jetë derbi më i pazakonshëm në histori”, ka thënë Sebastian Kehl, drejtues te Dortmundi. “Kjo lojë jeton nga tifozët, emocionet e tyre, atmosfera në stadium. Nuk do të përjetojmë asgjë nga kjo”.

Pritet prezencë e madhe e policisë jashtë stadiumit për të siguruar që tifozët nuk do të grumbullohen. Po ashtu mund të ketë ndonjë tubim të atyre që kundërshtojnë izolimin.

“Nuk do të lejojmë që derbi të përdoret për nxitje politike”, ka thënë kryetari i Dortmundit, Ullrich Sierau.

Skuadrat kanë të drejtë të bëjnë nga pesë zëvendësime për ndeshje, por gjëra tjera të pazakonshme priten gjatë ndeshjeve.