Maqedonia e Veriut: Shpallet gjendja e jashtëzakonshme e re për 14 ditë

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme të re për 14 ditë për shkak të krizës me koronavirusin e ri (COVID-19), duke përmendur si shkak zbatimin e masave ekonomike dhe sociale.

Sot u mbajt seanca e gjashtë e Këshillit të Sigurimit në të cilën u diskutua gjendja e jashtëzakonshme e shpallur për shkak të pandemisë COVID-19. Pas seancës, presidenti Pendarovski mbajti një konferencë për media.

Ai informoi se në seancën e sotme është rishikuar raporti i paraqitur nga Qeveria për zbatimin e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur për herë të dytë në 17 Prill. Pendarovski tha se në seancë, Kryeministri Spaovski ka informuar për 30 ditët e kaluara dhe ka sqaruar propozimin e qeverisë për të rishpallur gjendje të jashtëzakonshme për 30 ditë tjera.

Pas konsultimeve të gjera që i kisha ditëve të kaluara dhe sot me ekspertë nga disa fusha dhe me këshilltarët e kabinetit dhe bazuar në atë që u tha dhe u propozua në seancë, vendosa që të shpall gjendje të re të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej vetëm 14 ditë, në vend të 30 ditëve sa u kërkuan. Duke pasur parasysh tendencat pozitive në qetësimin e gjendjes së pandemisë, unë mendoj se 14 ditë janë të mjaftueshme”, tha Pendarovski, duke shtuar:
“Arsyeja e këtij vendimi është nevoja për të zbatuar masa ekonomike dhe sociale për të zbutur pasojat e pandemisë që tashmë po ndjehen si rezultat i faktit se një numër i madh i kompanive nuk kanë punuar dhe akoma nuk punojnë”.
Pendarovski gjithashtu tha se strategjia për trajtimin e krizës së koronavirusit po jep rezultate, gjë që tregon se “si shtet ne po përballemi mirë me këtë sfidë të madhe”.
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi; kryeministri, Oliver Spasovski; ministri i Brendshëm, Naqe Çulev; ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, profesorët universitarë Trajan Gocevski, Veton Latifi dhe Nenad Markoviç, ndërsa me ftesë të presidentit, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komisionit të Sëmundjeve Infektive, Zharko Karaxhoski.
Kujtojmë se me sugjerimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, presidenti Stevo Pendarovski për herë të parë shpalli gjendje të jashtëzakonshme më 18 mars dhe që atëherë gjendja e jashtëzakonshme ka mbetur në fuqi.
Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, deri më tani janë regjistruar 1.740 raste me COVID-19, prej të cilëve 97 kanë vdekur, 1.251 janë shëruar./AA/