Hannson: S’mund të amnistohen krimet që Serbia ka kryer në Kosovë

Johana Hannson

Çështja e një amnistie për krimet e kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë është ngritur prapë. Kjo po ndodh sepse besohet se është pjesë e një pakoje rreth një korrigjimi të mundshëm territorial në procesin e dialogut.

Nuk e kam ndërmend të diskutoj pse ajo mund të jetë në agjendë por më shumë dua t’ua kujtoj lexuesve pse nuk duhet të jetë.

E drejta ndërkombëtare dhe politika e Kombeve të Bashkuara (KB) përjashtojnë amnistinë për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Nuk ka statut të kufizimeve. Gjermania, hiç më larg se vitin e kaluar, hodhi në gjyq një të dyshuar për krime lufte nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Bazuar në udhëzimet e Kombeve të Bashkuara, amnistitë nuk lejohen nëse ato: pengojnë ndjekjen penale të personave që mund të jenë të përgjegjshëm për krime lufte, gjenocid, krime kundër njerëzimit ose shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, duke përfshirë shkelje specifike gjinore; ndërhyjnë në të drejtën e viktimave për një korrigjim efektiv, përfshirë reparacionet; ose kufizimojnë të drejtën e viktimave ose shoqërive për të ditur të vërtetën për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar. Këto tri elemente nuk mund të shkëputen nga njëra-tjetra.

Kjo ka të bëjë me drejtësinë, drejtësinë tranzicionale dhe një parandalim tëe krimeve të ngjashme në të ardhmen.

KB kanë përcaktuar se një proces demokratik nuk mund të transformojë një amnisti, që përndryshe do të ishte e pavlefshme, në një amnisti të ligjshme. E vërteta, drejtësia dhe reparacionet janë më shumë plotësuese se sa përgjigje alternative ndaj shkeljeve masive të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar ndërkombëtar.

Përvoja ka treguar se amnistitë dypalëshe ose vetë-amnistitë si përgjigje ndaj luftës civile ose tranzicioneve politike nuk janë garanci për pajtim e as mbyllje. Një amnisti e tillë me ligj të brendshëm nuk do të parandalonte ndjekjen penale para gjykatave të huaja apo ndërkombëtare.

Kjo është parë në Amerikën Jugore dhe në disa shtete afrikane ku kjo është tentuar. Në 2012 Gjykata Ndëramerikane e të Drejtave të Njeriut (I/A Court HR) vendosi që Ligji i Amnistisë në El Salvador nuk përputhej me Konventën Amerikane mbi të Drejtat e Njeriut dhe se këtij ligji të Amnistisë të këtij shteti nuk mund t’i referohej në rastet që kanë të bëjnë me shkelje të të drejtave të njeriut gjatë konfliktit të armatosur. Këto vendime nga I/A Court HR nuk ishin gjithnjë në fuqi të menjëhershme por me kohë janë bërë të tilla. Kjo ka qenë e qartë në Amerikën Jugore që nga fillimi i këtij shekulli. E drejta ndërkombëtare hyn në fuqi eventualisht.

Një shembull tjetër është ai i vitit 1986 në Uruguai. Komisioni Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut (IACHR), një institucion me seli në Washington në kuadër të I/A Court HR, publikoi një raport që thotë se ligji i amnistisë i Uruguait shkeli parimet themelore të Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut. IACHR-ja theksoi se amnistia uruguaiane jo vetëm që bënte të pamundur ndjekjen penale dhe dënimin, por edhe çdo hetim zyrtar që mundësonte përcaktimin e të vërtetës lidhur me këto krime.

Çdo komunitet ka të drejtën e patjetërsueshme për të ditur të vërtetën për të kaluarën e tij dhe rrethanat në të cilat janë kryer krime të tmerrshme, në mënyrë që të shmangen akte të ngjashme në të ardhmen. Familjet kanë të drejtë të dinë se çfarë u ka ndodhur të afërmve të tyre. Kjo është ajo që e quajmë drejtësi tranzicionale. Është çelës për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

Për t’u kthyer te pika rreth ndjekjes penale të krimeve të luftës si mjet që parandalon, është e rëndësishme të jemi të njohur me punën që pikërisht për këtë arsye bëjnë organizata të pavarura jo-qeveritare si Amnesty International, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Drejtësi Ndërkombëtare dhe Llogaridhënje, Qendra Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut. Këto mbledhin dhe dokumentojnë prova dhe deklarata të dëshmitarëve për t’u përdorur në ndjekje penale në të ardhmen lidhur me konfliktet dhe luftërat në Lindjen e Mesme. Ato po ashtu duan drejtësi, dijeni dhe parandalim.

Aktualisht dy sirianë të pandehur janë duke u përballur me gjyqin në Gjermani me akuza për krime kundër njerëzimit në Siri. Këto raste janë të bazuara në prova të mbledhura nga organizata të tilla.

Pas Luftës së Dytë Botërore deri në konfliktet e viteve 1990 në ish-Jugosllavi, kjo çështje nuk ishte ngritur në Evropë. Jurisdiksioni për çdo rast të tillë qëndronte te Këshilli i Evropës në kuadër të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut por për shumicën e shteteve të reja të ish-Jugosllavisë ekziston një ratione temporis, arsye e kohës. Ato iu bashkuan pas përfundimit të konflikteve. Pas atyre konflikteve, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit u çuan në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi në Hagë, të themeluar nga Kombet e Bashkuara. Sado që Gjykata mund të vlerësohet nga dikush si jo e përsosur, ajo tregoi qartazi se nuk kishte mosndëshkim për kriminelë të rangut të lartë dhe të tjerët. Ajo ka krijuar dosje dhe arkiv të shkëlqyer, një kujtesë kolektive për ato krime. Gjykata vendore gjithashtu u hapën në Kroaci, Bosnje dhe Serbi, megjithëse me rezultate të diskutueshme. Kosova është i vetmi vend i ish-Jugosllavisë që nuk ka të themeluar sistemin e tij gjyqësor të ngjashëm, ndonëse Dhomat e Specializuara me seli në Hagë janë krijuar sipas ligjit të Kosovës.

Hiç më larg se javën e kaluar BE ka përsëritur këtë parim për respektim të ligjeve ndërkombëtare në Deklaratën e saj të Zagrebit më 6 maj ku thuhet: Duhet t’i kushtohen përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare pajtimit dhe stabilitetit rajonal si dhe gjetjes dhe zbatimit të zgjidhjeve përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe për çështjet midis partnerëve që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura…

Shumica e shteteve janë anëtare të organizatave që përcaktojnë dhe gjykojnë këto rregulla p.sh. në Kombet e Bashkuar, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GjPN/ICC), ose nënshkruesë të konventave relevante. Kosova nuk është anëtare as e KB-së e as e GjPN-së (e cila aktualisht po merret me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera kryesisht në pjesë të Afrikës). Kosova synon anëtarësimin edhe në OKB dhe në Këshillin e Evropës prandaj edhe duket si gjykim i gabuar po të dëshironte të shkilte rregullat e këtyre institucioneve mbizotëruese shumë-kombëshe.

Serbia është anëtare e OKB-së, GjPN-së, dhe Këshillit të Evropës.

Një amnisti me Serbinë nuk duhet të jetë në agjendë meqë ka tejet pak të ngjarë të jetë e ligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Njerëzit që kanë kryer krime të kategorive të lartpërmendura gjatë dhe pas luftës nuk duhet të mund t’i ikin drejtësisë dhe kjo nuk është aq e lehtë. Kjo është çështje kyç e drejtësisë tranzicionale. Nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë por me të drejtën e viktimave të luftës për të ditur, e veçanërisht të atyre që kanë pjesëtarë të pagjetur të familjeve të tyre. Kjo ka të bëjë me një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës dhe të drejtave të tyre. Askush nuk ka të drejtë t’ua heq atë atyre dhe largimi i saj nuk do të ofronte një vijë të drejtë deri te pajtimi. Kjo ka të bëjë me parandalimin në të ardhmen