The Sun: Premier League nis më 12 qershor, ndeshjet në terrene neutrale

Ndeshjet e Premier Leagues do të luhen pa praninë e shikuesve dhe në stadiume neutrale, nëse qeveria jep leje që futbolli të rikthehet.

Kështu të paktën ka shkuar The Sun të premten pasdite.

Klubet e Premier Leagues të premten kanë mbajtur një video-konferencë, që ka zgjatur tri orë e gjysmë. Janë diskutuar çështje të ndryshme.

Klubet mbesin të përkushtuara për të përfunduar edicionin nëse kjo është e mundshme dhe nëse qeveria jep leje.

Kryeministri Boris Johnson ka sinjalizuar se mbyllja e vendit do të lehtësohet përmes fazave, por jo para të enjtes së ardhshme. Klubet shpresojnë që të fillojnë me disa forma të stërvitjes më 18 maj, ndërsa synim është që ndeshjet të vazhdojnë prej 12 qershorit.

Por, sipas The Sun, ndeshjet do të luhen në disa stadiume specifike përgjatë Anglisë. Pritet të shmangen stadiumet në qendra të mëdha. Asnjë klub nuk do të lejohet të luajë në stadiumin e tij për të ofruar barazi për të gjithë. Do të përzgjidhen dhjetë stadiume ku do të luhen ndeshjet. Klubet janë pajtuar që të takohen sërish të premten e ardhshme.