Nexhmedin Spahiu: Amerika i bën negociatat për Kosovën, Thaçi e Kurti janë të vegjël për këto punë

Publicisti nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, ka bërë një postim interesant në profilin e tij në Facebook.

Ai ka deklaruar se kryeministri Kurti është mashtruar nga presidenti Thaçi, pasi në të vërtetë as ky i fundit nuk e ka parë fare marrëveshjen finale me Serbinë.

Në fakt, z.Thaçi asnjëherë nuk ka pretenduar që ekziston kjo marrëveshje, ndërsa kryeministri Kurti edhe dje deklaroi disa herë se “ishte i bindur që ajo ekzistonte, dhe se vetëm duhej të nënshkruhej.” Madje, ai paralajmëroi edhe “incidente në terren, e gjak” për një gjë të tillë, përcjell Periskopi.

Por, z.Spahiu beson që “negociatat reale në emër të Kosovës i bën Amerika.” Pikërisht ShBA-të ishin ato që i bënë presion Kurtit për të hequr tarifën doganore pa e vënë reciprocitetin, në mënyrë që të vazhdonte dialogu. Por, as ShBA-të nuk kanë thënë se kjo marrëveshje veçse ekziston.

Spahiu e sheh Kosovën në rolin e një fëmije, ndërsa Amerikën në rolin e babait të saj.

Më poshtë e keni statusin e plotë:

Albin Kurti e ka ngrënë karremin e Hashim Thaçit për një marrëveshje të gatshme me Serbinë. Një draft-marrëveshje e tillë edhe nëse ekziston, atë draft, Hashim Thaçi nuk e ka parë kurrë, e as që ka për ta parë para se ta hedhë nënshkrimin në të. Negociatat reale në emër të Kosovës i bënë Amerika. Kosova këtu është në rrolin e fëmijës, kur del me babin me ble akullore (njohjen nga Serbia). Çmimin e akullores e negocon babi dhe jo fëmija. Fëmija mundet me e prishë ose me ndreqë pazarin vetëm me sjelljen e tij të mirë apo të keqe ndaj babit të tij.