Abrashi: Kurti shkaktoi krizë për t’iu ikur përgjegjësive

Sekretari Organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ka shkaktuar krizë në koalicion për t’iu ikur përgjegjësive shtetërore.

Ai thotë se këtë e bëri edhe për të fshehur raportet e tendosura me SHBA-në.

Abrashi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “përpjekja e Kurtit për t’u fshehur prapa gjendjes së pandemisë është e kot.

“Shumë të tjerë para VV-së kanë provuar ta nënshtrojnë LDK-në, por historia ka treguar se ne jemi rreshtuar në anën e drejtë dhe kemi qëndruar të pathyeshëm. Partneritetin dhe miqësinë me Amerikën dhe BE-në, LDK-ja nuk e zëvendëson me projekte të izolimit dhe kapitullimit të shtetit”, ka shkruar ai.

Ai thotë se është e natyrshme që qytetarët të kërkojnë unitet politik dhe më shumë tolerancë ndërmjet partive politike, për shkak të gjendjes me koronavirusin.

“Mënyra më e mirë për të kërkuar unitet është duke treguar tolerancë me shembullin personal, nëpërmes ofrimit të opsioneve, ashtu siç ka bërë LDK-ja dhe kryetari Mustafa, duke ofruar vazhdimisht mundësi bashkëpunimi me VV-në. Por, nuk mund të kërkohet unitet e tolerancë, nga ata që bëjnë kërcënime, linçime, shpallje tradhtarësh, sulme fizike ndaj gazetarëve, dhe fushata denigruese në rrjetet sociale ndaj personaliteteve politike dhe shtetërore”, ka thënë ai.

Ai duke iu referuar disa postimeve në Facebook, të disa qytetarëve që nuk e kanë përkrahur kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, ka thënë se VV nuk e ka për qëllim unitetin.

“Sot ishim dëshmitarë të një organizimi e orkestrimi të një ushtrie “virtuale” kundër LDK-së dhe Kryetarit Mustafa, me një orientim të dalluar; në secilën deklaratë, koment e postim është vërejtur gjuhë e urrejtjes, ‘urime për vdekje’, thirrje për linçime etj, që tregon, se partnerët tanë politikë, nuk e kanë për qëllim unitetin, por në fakt vetëm keqpërdorimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Kryeministri Kurti, bën mirë të na tregoj nëse është pjesë e këtij organizimi? Nëse jo, pse nuk ndërmerr masa ndaj atyre që keqpërdorin emrin e tij?”, ka shkruar ai.