Agim Veliu e godet Vetëvendosjen: Nuk do të lejojmë që dikush të na prishë me miqtë tanë ndërkombëtarë

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka vënë në dyshim funksionimin e koalicionit me Vetëvendosje.

Në tubimin elektoral të LDK-së në Shkollën e fshatit Lluzhan, ai ka treguar edhe pse e ka çuar Podujevën në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Këtë lëvizje nuk e kam bërë për interes e as në krye në veti, po ka qenë në koordinim edhe me partinë edhe me kryetarin Isa Mustafën. Sepse ju e dini se në çfarë rrethanash u bë koalicioni dhe ju e dini si po funksionon ose nuk po funksionon ky koalicion në këto ditët e para. Nuk do të lejojmë që dikush të na prishë me miqtë tanë ndërkombëtarë e simodoms me SHBA. Dhe iu themi atyre se me qëllim apo pa qëllim po e bëjnë, por iu themi jo”, ka thënë Veliu para të pranishmëve.

Ai e ka kritikuar edhe ish-bashkëpartiun e toj, Shpejtim Bulliqin, që e ka braktisur LDK-në, përcjell koha.net.

“Deri dje ishte me ne, ishte në sofrën tonë, në shtëpinë tonë. Tregoi jorespekt dhe ju e dini çka i gjen ata që dalin nga shtëpia e vet e që e rrotullojnë sofrën që i ka ushqye. Të vetëm të mirë që ia ka ba këtij vendi Shpejtim Bulliqi është se i ka lënë qytetarët pa viza për shkak të një zhvatje, ia kanë zhvat mbi 300 mijë euro buxhetit”.

Një ditë më parë kandidati i VV-së për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë Veliu e ka çuar pa nevojë komunën në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se me ato gjysmë milioni sa pritet të shpenzohen për këto zgjedhje, do të mund të realizoheshin shumë projekte në Podujevë.