Tahiri me akuza të rënda ndaj Kurtit e Konjufcës: Janë ideatorë të organizatës terroriste

Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë Haradinaj, Abelard Tahiri ka hedhur akuza të rënda ndaj zyrtarëve më të lartë të Vetëvendosjes dhe të Qeverisë së Kosovës.

Tahiri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë ideatorët e organizatës terroriste “Syri i Popullit”.

“Syri i Popullit është një lloj dege e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i PDK-së thotë se kandidatët e Vetëvendosjes për deputet në legjislaturën e kaluar janë dënuar tashmë si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Tahiri thotë se deri më tani Albin Kurti nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë organizatë terroriste.

“Albin Kurti ka motivuar dhe e ka frymëzuar krijimin e kësaj organizate…Ai ka motivuar dhe ka sjellë nga Zvicra këta persona, pasi ka quajtur Hashim Thaçin, Fatmir Limajn, Isa Mustafën si tradhtarë dhe njerëz që po duan ta shesin Kosovën. Ai ka thënë se këta njerëz duhen ndalur me çdo kusht”.

Deputeti i PDK-së thotë se vet gruaja e Sadri Ramabajës (i dënuar nga shkalla e parë e gjykatës për lidhje me “Syrin e Popullit”) e që sipas tij është halla e Glauk Konjufcës ka thënë se dënimi i bashkëshortit të saj është bërë për të dëmtuar Vetëvendosjen.

“Është e pakuptimtë pse Vetëvendosje nuk del të distancohet nga kjo organizatë terroriste”, tha ndër të tjera ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.