Ekskluzive, kjo është renditja e partive në listën “Alternativa Demokratike Shqiptare- Lugina e bashkuar”

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare nga Lugina e Preshevës sot në Tiranë kanë nënshkruar marrëveshjen për daljen me një listë të vetme për zgjedhjet parlamentare në Serbi që pritet të mbahen gjatë këtij viti. Ishte kjo një përpjekje e vazhdueshme e Tiranës zyrtare ku përmes angazhimit të ministrit Cakaj ka arritur që për herë të parë t’i bashkojë përfaqësuesit politik shqiptarë nga Lugina e Preshevës.

Ministria e Lajmeve përmes burimeve të saj ka mësuar edhe renditjen e subjekteve politike në këtë listë.

Listës i prinë Partia për Veprim Demokratik që udhëheq me pushtetin lokal në Bujanoc ndërsa e dyta renditet Alternativa për ndryshim e Shqiprim Arifit e cila udhëheq me komunën e Preshevës në koalicion me LR-Pdsh e cila në këtë rast renditet e katërta në këtë listë. Pjesë e kësaj liste janë edhe dy partitë tjera shqiptare që veprojnë në Komunën e Bujanocit, Partia Demokratike e cila gjindet e treta në listë dhe me numër 5 renditet Lëvizja e Progresit Demokratik.

Jo zyrtarisht mësohet se listës për kandidat do t’i prijë Kryetari i Bujanocit Shaip Kamberi ndërsa i dyti do të jetë nënkryetari i APN-së, Armend Aliu.

Vlen të theksohet se ende nuk ka ndonjë deklarim nga ana e PDSH-së së Ragmi Mustafës e cila nuk është nënshkruese e kësaj marrëveshje dhe si duket edhe kësaj rradhe do t’i bojkotojë zgjedhjet parlamentare në Serbi sikur herave të tjera.
Lista “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e bashkuar”

1.Partia për Veprim Demokratik
2.Alternativa për ndryshim
3.Partia Demokratike
4.Lëvizja për Reforma PDSH
5. Lëvizja e progresit demokratik