Iraku: Nuk ka viktima në sulmin me raketa të Iranit

Autoritetet irakiane raportuan se nuk ka pasur viktima pas sulmit raketor të Iranit që shënjestroi dy baza ushtarake amerikane në Irak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rrjeti shtetëror i mediave të sigurisë në Irak në një njoftim të shkruar tha se 22 raketa kanë rënë në territorin e Irakut.

“Shtatëmbëdhjetë nga këto raketa goditën bazën ajrore të Ain Al-Asadit dhe pesë raketa ranë në qytetin Erbil”, tha rrjeti.

Ministria e Brendshme e Qeverisë Rajonale Kurde në veri të Irakut konfirmoi se asnjë viktimë nuk ka pasur në këtë sulm.

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) lëshoi dhjetëra raketa balistike kundër forcave ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak.