Shkon për të vjedhur në shtëpinë e xhaxhait, ia vret gruan në mënyrë të tmerrshme

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Mallakastrën ku një 50-vjeçare është shpallur e humbur nga familjarët pasi nuk kishin informacion që prej datës pesë të këtij muaji.

Policia ka nisur menjëherë kërkimet dhe ka zbuluar se ajo ishte vrarë dhe trupi ndodhej në rezervuarin e fshatit.

Për këtë krim janë arrestuar 3 persona ku njëri është nipi i bashkëshortit të saj.

“Pas hetimeve të kryera, rezultoi se nipi i shtetases së humbur (djali i vëllait të burrit), në bashkëpunim me 2 shokë të tij, në datën 05.01.2020 kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës”, ka thënë Policia e Shtetit në njoftimin për media.

Viktima, siç raporton Tch, mësohet se është Drita Saliaj.

Policia më tej thotë se me qëllim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea, u gjet në rezervuar trupi i pajetë i shtetases D. S.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan shtetasit S., 16 vjeç, banues në Gjerbës, S. Sh., 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe E. Z., 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.