Një vepër me interes për historinë e qytetërimit islam

Shoqëria njerëzore, sikurse dihet, ka një histori të gjatë dhe të mbushur me histori qytetërimesh të tëra dhe secili nga këto qytetërime është ngritur mbi bazën e një besimi, prandaj feja dhe qytetërimi kanë një marrëdhënie ekzistenciale midis tyre.

Kështu është edhe me qytetërimin islam, i cili është i ngritur mbi bazën e mësimeve të fesë islame. Së këndejmi, qytetërimi islam ka histori, por për dallim nga shumë qytetërime të tjera pararendëse, ai nuk ka kaluar në histori, as nuk ka njohur ndërprerje, por është prore dinamik, aktual e prodhues, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prandaj njohja dhe pasurimi i njohurive të publikut të gjerë shqiptar me këtë qytetërim të përbotshëm janë po aq të rëndësishme dhe bashkëkohore, sa edhe njohja e fesë islame. Nga ana tjetër, kur kësaj t’ia shtojmë edhe faktin se pjesë e këtij qytetërimi u bënë edhe shqiptarët, atëherë njohja, mësimi dhe studimi i historisë së këtij qytetërimi bëhen edhe të domosdoshëm.

Këtë synim, përveç të tjerash, ka edhe libri “Histori e qytetërimit islam” i prof. dr. Qazim Qazimit, i cili publikut dhe lexuesit shqiptar i ofron të dhëna dhe fakte të bollshme për një njohje më të thellë të qytetërimit islam dhe, sikurse e thotë dhe vetë autori, pse jo edhe për të korrigjuar disa vlerësime të deritanishme ndër ne për kulturën dhe qytetërimin islam.

Dhe jo vetëm kaq! Islami, si bazë i qytetërimit islam, nuk u paraqit në një kohë të pacaktuar, të panjohur, inekzistente dhe mitologjike, që në shtresimet e tij do të mund të fshihte ose të maskonte parametrat dhe mësimet e tij origjinale, por ai u paraqit në një kohë të caktuar, të saktë, reale dhe konkrete për evidencën historike të hulumtimeve.