KDNJ: Problemet e shfaqura në procesin e pasivizimit të vendbanimeve në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, po e rëndojnë edhe më shumë gjendjen

Kumtesë

Këshilli për të Drejtat e Njeriut për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë konsideron se viti 2019 ishte vit i vendnumërimit sa i përket respektimit dhe avancimit të të drejtave të njeriut në këto komuna.
Për me tëpër, problemet e shfaqura në procesin e pasivizimit të vendbanimeve në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, po e rëndojnë edhe më shumë gjendjen, duke pasur parasysh se jo rrallëherë po rezultojnë në shkeljen e të drejtës për asistencë sociale dhe për pajisje të dokumenteve personale, apo edhe në shlyerje nga regjistri zgjedhor.
Gjatë vitit 2019, nuk pati po ashtu asnjë vendim politik dhe proces për për ta përmirësuar përfaqësimin e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare në organet shtetërore, sidomos të nivelit rajonal dhe republikan, ku ata mbeten skajshmërisht të nënpërfaqësuar, në shpërputhje jo vetëm me standardet e Bashkimit Evropian, por edhe të vetë Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe legjislacionit përcjellës.
Edhe gjatë këtij viti nuk u zgjidhen çështja e mosnjohjes së diplomave të Kosovës për shtetasit e Republikës së Serbisë dhe sidomos çështja e teksteve e planprogrameve mësimore për nxënësit që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe nw Serbi.
Problemet e njëjta mbeten në fushat e tjera jetike për të drejtat e njeriut, si në atë të gjyqësisë, të sigurisë, kulturës dhe të (mos)përdorimit zyrtar të simboleve kombëtare për minoritetin shqiptar.
Në këtë drejtim, mbetet tejet e rëndësishme që të rifillojë dialogu midis përfaqësuesve të qeverisjes republikane dhe përfaqësuesve lokalë, si dhe të dinamizohen ndryshimet e nevojshme ligjore dhe harmonizimi i tyre me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, edhe në kuadër të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

10.10.2019
Bujanoc
Shërbimi për Informim
Këshilli për të Drejtat e Njeriut