Fadil Vokrri, legjenda që e përgatiti terrenin për shkëlqimin e Kosovës

Shqiptarët e Kosovës brenda Jugosllavisë kanë pasur pak gëzime. Ata i kanë ruajtur ndeshjet e Vokrrit për të pëjetuar pak emocione, ndjenja krenari dhe shumë motiv në një gjendje të vështirë sociale, kulturore dhe politike.

Vokrri, emocionet që ia dha shqiptarëve të Kosovës paralufte i vazhdoi edhe paslufte duke e bërë realitet anëtarësimin e Kosovën brenda organizatave më të fuqishme të futbollit në botë: UEFA dhe FIFA. Frytet e punës së tij po i shohim sot kur Kosova po prezantohet para botës siç është më së miri. Në përpjekje për të thënë diçka të madhe, Vokrri ishte njeriu i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me pasionin e tij, me futbollin nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Ishte viti 1980 kur ai kaloi tek KF “Prishtina”, ai luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinëspati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar, 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si president i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate.