Albin Kurti, nga protestat e studentëve deri te pozita e Kryeministrit të Kosovës

Sipas rezultateve deri tash nga qendrat e votimit, në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë fitoi Lëvizja Vetëvendosje.

Në krye të saj është Albin Kurti, i cili siç e do rendi do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

E kur e kujtojmë Kurtin, kujtojmë sakrificat e tij ndër vite para se t’i duheshin 20 vite ta bindte popullin e Kosovës që ta zgjedhte në këtë pozitë.

Veprimtar aktiv politik për çështjen kombëtare dhe demokratizimin e ndërgjegjes shqiptare, Kurti është në krye të Vetëvendosjes që nga viti 2008.

Kurti ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Milosheviçit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.

Ai punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), të formuar në vitin 1997, që u ringjall në konferencën “Drejtimet e reja” të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003.

Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe.

Më 13 mars 2000 në Nish, Albini u dënua me 15 vjet burg të rëndë. Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Milosheviçit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”. Kur u dënua, ai tha: “Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më ipej rasti do të veproja sërish njësoj.” Si rezultat i presionit ndërkombëtar Albini u lirua më 7 dhjetor 2001.

Nga një 22 vjeçar aktivist, Albin Kurti e ka marrë së fundmi aprovimin për të qenë Kryeministër i Kosovës, me fitoren e Vetvëvendosjes në disa komuna në Kosovë.

Na ndiqni
error