Irani kërcënon se do të sulmojë forcat amerikane në Irak

Ambasadori iranian në Irak, Iraj Masjedi ka kërcënuar se do të sulmohen forcat amerikane në rast të një sulmi të amerikanëve ndaj vendit të tij.

Në një intervistë për televizionin Dihlah nga Iraku, Masjedi tha: “Republika Islamike (e Iranit) nuk dëshiron luftë as me amerikanët e as me ndonjë shtet tjetër”.

Masjedi akuzoi SHBA-të se po ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Irakut si dhe në Lindjen e Mesme.

“Nëse SHBA sulmon Iranin, ne do të përgjigjemi fuqishëm dhe do të bombardojmë praninë amerikane në Irak apo kudoqoftë tjetër”, tha Masjedi.

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-ve janë përshkallëzuar pasi presidenti Donald Trump në maj të vitit 2018 tërhoqi SHBA-të nga marrëveshja bërthamore që fuqitë botërore e arritën me Iranin për të frenuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimeve prej miliarda dollarësh nga sanksionet ekonomike.

Që atëherë, Trump ka filluar një fushatë për të ndryshuar marrëveshjen, përfshirë edhe rivendosjen e sanksioneve ndaj naftës së papërpunuar iraniane të cilat u hoqën si pjesë e marrëveshjes.

Na ndiqni
error