Kryeministri çek përgënjeshtron Brnabiç: Nuk ka arsye që Çekia të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babish ka përgënjeshtruar deklaratën e kryeministres serbe, Ana Brnabic se kryeministri çek ka shprehur gatishmëri për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka shtuar se nuk sheh arsye që Çekia të ndryshoj qëndrim sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës.

“Politika e jashtme e Çekisë, është gjithmonë në duar të qeverisë. Nuk shoh asnjë arsye, që Çekia të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës”, ka thënë Babish në një konferencë për media.

Më tej Babish ka folur edhe për mospjesëmarrjen e Ramush Haradinajt në këtë takim. Ai ka thënë se ka pranuar letrën e kërkim faljes nga Haradinaj, dhe se kryeministrin e ka përfaqësuar ambasadori i Kosovës në Pragë, Arbër Vllahiu.

Kujtojmë se kryeministrja serbe ka thënë para gazetarëve se ka diskutuar me homologun e saj çek, duke shtuar se ai është shprehur i gatshëm të diskutojë mundësinë e tërheqjes së njohjes ndaj Kosovës.

Na ndiqni
error