Melihate Tërmkolli: Akuza shumë të rënda ndaj Isa Mustafës

Anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Melihate Tëmrkolli, pas mbledhjes së sotme ka adresuar kritika të ashpra ndaj kreut të LDK-së Isa Mustafa dhe përkrahësve të tij brenda partisë. Pakënaqësitë e saj me ecurinë e mbledhjes së sotme ajo i ka shprehur duke thënë se nuk është punë pakënaqësie individuale ngase, sipas saj, problemi është se nga po shkon ky vend dhe nga po shkon LDK-ja.

“Aty është një njeri totalitar, më totalitar se Millosheviqi”, ka thënë Tërmkolli.

Ajo ka treguar se brenda Këshillit nuk është lejuar asnjë diskutim edhe pse ka pasur reagime dhe kërkesa për të marrë fjalën.“Asnjë diskutim nuk është lejuar, absolutisht asnjë diskutim në është lejuar në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, njëjtë si në Kuvend, edhe këtu, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë në historinë e LDK-së”.Tërmkolli ka thënë se edhe lista me 33 anëtarë ka ardhur e gatshme dhe as nuk është lejuar të diskutohet.

“Është e gatshme lista, vetëm e ka lexuar listën (me emra të anëtarëve, v.j.), edhe përkundër kërkesave të shumta që ka pasur, askujt nuk ia ka dhënë fjalën, madje i ka kërcënuar njerëzit”, ka sqaruar ajo për Gazetën Blic.

“Brenga ime është për LDK-në, të them të drejtën, se nga po e çon ky njeri LDK-në, sepse LDK-në e kemi bërë ne, e jo ky, ky është uzurpator veç”.

Ajo ka kritikuar strukturat e partisë për mungesë demorkacie, teksa ka krahasuar këto procese brenda partisë me ato që ndodhnin në komunizëm.“Krejt njësoj si Kuvendi, me metoda akoma më të këqija se në monizëm e komunizëm… Jemi në shekullin 21 dhe po hyjmë në dekadën e tretë të shekullit 21 dhe kjo po na ndodhë në LDK, në Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Tërmkolli ka treguar se ka pasur edhe persona tjerë brenda partisë që kanë kritikuar.“Problemi është që pati plot njerëz që protestuan dhe kërkuan ta marrin fjalën, të debatojnë, por ai personalisht i ka dhënë 33 emra dhe e ka mbyllë ashtu duke kërcënuar njerëzit që s’guxoni me marrë fjalën, kjo po na ndodhë në LDK-në tonë”, ka thënë ajo për Gazetën Blic.Tërmkolli ka treguar se janë disa persona brenda partisë të lidhur me biznesit të cilët e përkrahin kryetarin aktual.“Ai nuk është i vetëm, është pjesa biznesore që e ka uzurpuar LDK-në, janë 3-4 vetë, që kanë bërë pazare, janë pjesë e pazareve dhe po ia mundësojnë kështu.Janë edhe 4-5 vetë që janë pjesë e biznesit të partisë dhe një matematikë e tyre për interesa të veta, përfshirë edhe disa njerëz që po shiten si shumë demokratë, përfshirë edhe disa gra aty që po dalin shumë të votuara, e aty janë pjesë e biznesit. Absolutisht janë pjesë e këtij biznesi politik”, u shpreh ajo.“Është dhimbje dhe sakrificë për LDK-në dhe për këtë shtet”, ka deklaruar në fund Tërmkolli.

Na ndiqni
error