‘Paskemi ba fëmijë për botë, mor bir. Nuk bahet ky vend’

Shqiptar Oseku

-Paskemi ba fëmijë për botë, mor bir. Nuk bahet ky vend. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru, ka marre fund.

Plaku qe me flet pi kafe dhe me shikon drejt ne sy. Ai e plaka rrojne ne një nga shtepite perballe. Mua me kujtohen si cift i bukur ne mesomoshe, qe nisen themelet e shtepise perballe nesh me 1989. Ate vit familja jonë ikem ne Suedi; mbaj mend se si babai im i deprimuar, qe kish kuptuar qellimet e Serbise, perseriste netve: po bajme shpi per shki. Sot serbet kane ikur. Shtepia e komshive ka dy kat, me dy hyrje, per dy djemte. Por dy djemte jane sot ne Amerike. Ne rrugen ku jetojme ne Gjakove ka 22 shtepi. Te gjithe kane djem e vajza ne mergim.

Kjo kuptese me godet kete nadje si plumb ne balle. Gjakovaret jane ndoshta te vetmit qe s’kane patur tradite mergimi. Ne kohen e Shqipnise se vjeter, kur qytetaret turqishtfoles gjetke humbnin ne Turqi, paria shqipfolese e qytetit kufitar iken ne Shqipni. Qytetet tjera u ripopulluan me banore rrethesh dhe u kthyen ne katunde te medha, por gjakovaret nuk shiten pronat. Djemte e tyre ktheheshin nga Shqipnia si nacionaliste te arsimuar. Me vone, ne vaktin e Titos, keta burra te arsimuar i sherbyen atij si administratorë, duke nxjerre favore, shkollim shqip, flamur shqiptar, nje zhvillim industrial. Te kuptohemi, Tito ishte diktator dhe Jugosllavia shtet njepartiak, familja ime eshte nje nga ato qe vuajten burgun e persekutimin. Por edhe ferri ka rrathe te ndryshme, thone. Kur Tito u kujtua te ulte papunesise me mergim te rregullt ne Zvicer e Gjermani gjakovaret nuk iken, pse kishin pune ne shtepi. Gurbeti ne diktature te proletariatit boshatisi me fort fshatrat. Por ai ishte i kontrolluar, diktatura nuk u jipte pasaporta te gjitheve. E kish matur me kandar sa fshatare duhen, per te funksionar bujqesia.

Ky mergimi i pakontrolluar sot eshte tjeter bishe. Sot ka fshatra fantazme ne rrethin e Gjakoves. Shtepi te medha, rruge, kopshtie e ara. Te gjitha bosh, djerre, pa fryme njeriu. Te gjithe jane jashtë, kane marre dhe pleqte. Bagetine e kane therrur, puset mbyllur, dyert e ndryra me celes. Fshatrat tjera po shtirren rrembyeshem. Ne Rahovec kane gjetur nje menyre qe con gjithe rinine per Vlore e Itali. Nja dy ndertimtare kosovare ne Gjermani marrin atje gjithe rinine e fshatrave kufitare me Shqiperine. Ikin edhe qytetaret, per here te pare ne historine e qytetit — dhe ikin per te mos u kthyer me. Nuk bahet ky vend, me thonë te gjithe, njesoj si plaku i komshive. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru, ka marre fund.

Pasojat jane mishngjethese, kjo bisha e re e mergimit eshe murtaje e bardhe. Fshataret e mbetur nuk gjejne krahe pune. Blegtoret marrin nga 40 cent per liter qumesht, me shume se ne Suedi, por duhet te ulin rendimentet se s’kane punetore. Therrin lopë qumshtore. Bujqit zvogelojne parcelat. Duhet te automatizojne punen, por ato lloj investimesh duan lekë qe s’i kanë. E puna manuale do punetore.

Bisha e mergimit kafshon edhe qytetin. Per keto dite sa jam ketu kam fole me te gjitha shtresat e mundshme sociale. Nepunes, punonjes ne sektorin IT, ne polici, ne gjyqesor, VIP-a te estrades, doktore, doganiere, ndermarres te suksesshem. Te gjithe duan te ikin. Te shesin ndermarrjet, te heqin stetoskopet, te zhveshin uniformat, te dorezojne celesat e zyreve, te ikin, te ikin, te ikin. Kesaj radhe pa hajgare. Te ikin te mos u kthyer me kurre. Per dallim prej herave tjera, tashti me thonë qe duan te ikin edhe pasunaret. Cka me ndihmon parja nese semurem, kur nuk i besoj mjekut. Femijet na dalin te trashe nga shkolla, kemi mesues me diploma fallco. Nuk bahet ky vend, me thonë te gjithe. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru, ka marre fund.

Spitali i Gjakoves, qe sherben per tere qarkun me pothuaj 100 mije banore, nuk ka me repart te infeksioni, pse mjeku i vjeter ka dale ne pension. Nuk ka me as repart te oftamologjise, per te njejten arsye. Te gjithe presin me tmerr pensionimin e gjinekologut. Doktoret gjakovare jane sot shefa repartesh ne Gjermani, Zvicer. Fola me nje kardiolog qe punon jashtë, pse ike mor burre kur je mire me lekë. Ku ta coj femijen ne shkolle mo vlla, me pergjigjet. Po kur te semurem une. Edhe doktori ka nevoje per doktor, e une nuk u ze dot bese kolegeve te mi. A e di sa jane kapur me skandale, me operime te panevojshme, me turpe. Gjobiten, vazhdojne, si hic asgje. Nuk rrnohet ne nje vend ku ka vdeke morali. Nuk bahet ky vend. Keta qe e kane kape, nuk shkapen kurre. Ka mbaru ky vend. Ka marre fund.

Na ndiqni
error