Shembja e Teatrit Kombëtar, Meta njofton lëvizjen e radhës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të depozitojë sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Kërkesa e kreut të shtetit vjen pas tensioneve që përshkallëzuan në përplasje fizike mes protestuesve të shumtë, artistëve kundër shembjes së Teatrit dhe forcave policore.

Zyra për shtyp e Presidentit bën me dije se “Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të shkojë sot në ora 13:00 në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar”.

Pak më herët, Meta reagoi lidhur me ngjajren në një postim në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ku e ka quajtur të turpshëm rrethimin e godinës së Teatrit nga forcat e Policisë dhe përplasjen fizike mes tyre dhe komunitetit të artistëve.

Në postim, Meta shkruan se kjo është një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme, duke i bërë thirrje Policisë që të respektojë artistët dhe të mos ushtrojnë dhunë fizike ndaj tyre.

Sipas kreut të shtetit, “as sampistët e Ramoz Alizës nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor të ’90”.

Ndërkohë, artistët prej rreth një jave kanë vendosur të qëndrojnë 24 orë pa ndërprerje në sheshin e Teatrit, pasi kanë marrë informacione se nga dita në ditë pritet ndërhyrja për shembjen e godinës.

Ditën e sotme, qendresës së tyre iu bashkuan politikanë nga radhët e opozitës së bashkuar joparlamentare, përfshirë edhe kryedemokratin Lulzim Basha, i cili deklaroi se së shpejti do të ketë një marrëveshje midis opozitës dhe artistëve në lidhje me Teatrin.