Përkujtohej Srebrenica, Ratko Mlladiç përfundon në spitalin e Hagës

Ditën që u përkujtua 24-vjetori i genocidit në Srebrenicë, autori i saj, ish-gjenerali famëkeq Ratko Mlladiç ka përfunduar në spital në Hagë, pas një gjendjeje shëndetësore të rënduar.

“Ai do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të specialistëve për shkak të një gjendjeje të përkeqësuar shëndetësore”, tha djali i tij, Darko Mlladiç.

“Nuk kemi ende asnjë raport për atë që po ndodh”, u ankua i biri i njeriut që vuan dënimin në Hagë mbi rolin e tij në tragjeditë e luftës së Bosnjes.

Më 22 nëntor 2017, gjykata e Hagës dënoi ish-gjeneralin e Ushtrisë Jugosllave me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjen terrorizimin e popullatës së Sarajevës dhe marrjen peng të anëtarëve të UNPROFOR-it.