Po ndodh baticë sherresh diplomatiko-historike në Ballkan

Nga Shaban Murati           

Problemet e pazgjidhura me origjinë historike në Ballkan janë kaq të shumta dhe tëmprehta, saqë ato herë pas here, kur gjejnë edhe klimëne përshtatëshme kombëtare dhe rajonale, shpërthejnë në sipërfaqet e marrëdhënieve si sherre diplomatiko-historike. Harta e tyreështë shumë mëe madhengasa e mendojmë dhe kap një spektër të gjërë fazash historike dhe shtetesh.

Në datën 20 qershor, dy ditë pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të merrte nga mbledhja e ministrave të jashtëm të BE në 18 qershor një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, kryeministri i Bullgarisë, BojkoBorisov, i dërgoi Shkupit një paralajmërim të fortë për një veto bullgare në BE në vjeshtën e ardhshme.

Kryeministri bullgar kritikoi Maqedoninë e Veriut për retorikën antibullgare dhe për përvehtësimine historisë së Bullgarisë, duke i kërkuar asaj të ndalojë retorikën antibullgare dhe duke theksuar se Sofia është gati të përdorë vetone saj kundër Maqedonisë së Veriut në BE në vjeshtë, nëse Shkupi do të vazhdojë në këtë rrugë.

Molla e sherrit të këtyre ditëve u bë veprimtari Goce Delçev, (1872-1903), origjinën e të cilit e pretendojnë të dy shtetet. Sofia e quan bullgar,sepse kështu e ka deklaruar veten Delçevi, dhe Shkupi e quan maqedonas, sepse ai i ka përkitur një organizate të fshehtë, që luftonte për lirinë e Maqedonisë në kohën e perandorisë osmane. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, deklaroi se “që të pranojë se Goce Delçevi është bullgar, kjo është vija e kuqe që Shkupi nuk është gati ta kapërxejë”. Ndërsa drejtori i Institutit të Historisë Kombëtare në Shkup, Dragi Georgiev, e përforcoi duke thënë se “Maqedonia e Veriut kurrë nuk do ta njohë Goce Delçevin si bullgar”.

Presidentët e dy shteteve fqinj paraqesin vija të kuqe diplomatike dhe shtetërore për shkak të debatit për origjinën e një veprimtari të shekullit të 19-të, një sherr diplomatiki sotëm, që vjen nga historia dhe që mund të hedhë në erë marrëdhëniet dypalëshe. Dhe në pyetje është çështja jetike e një vetoje bullgare për hapjen e bisedimeve të pranimit për Maqedoninë në BE, por edhe për anëtarësimin e saj në NATO.

Duket disi e çuditëshme “vija e kuqe” e presidentit të Shkupit,i cili shprehet me lehtësi të rrezikojë anëtarësimin e vendit në BE dhe në NATO për hatër të një veprimtari të shekullit 19-të. Është vërtet absurde të bllokosh integrimin euroatlantik të shtetit, në një kohë që Shkupi gjatë 25 viteve të fundit nën presionin grek ka ndërruar edhe flamurin, edhe kushtetutën, edhe himnin e vet kombëtar dhe në qershor të vitit të kaluar pranoi të ndërrojë dhe emrin, kurse tani befas shpall se do të sakrifikojë anëtarësimin në BE dhe në NATO për pasaportën e Goce Delçevit.

Nuk duhet harruar se në dhjetor të vitit 2012 Bullgaria bashkëngjiti zyrtarisht veton e saj me atë të Greqisë për të bllokuar hapjen e bisedimeve të pranimit për Shkupin në BE. Përplasja diplomatike e dy shteteve për një veprimtar të shekullit të 19-të, ndodh megjthëse dy shtetet nënshkruan në 2017 edhe Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit, ku ranë dakord që t’i festojnë së bashku ngjarjet dhe personalitetet, që i rivendikojnë të dy palët.

Në datën 21 qershor në marrëdhëniet plot tension midis Turqisë dhe Greqise ridoli një çështje e vjetër acarimi, që ka të bëjë me gjendjen e të drejtave të njeriut për pakicën turke në Thrakën Perëndimore. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, shprehu në 21 qershor protestën ndaj dekretit të presidentit të Greqisë, i cili i jep të drejtë shtetit grek të emërojë imamët për minoritetin mysliman  turk në Greqi. Zëdhënësi e quajti këtë një shkelje të Traktatit të Paqes të Lozanës të vitit 1923 midis dy vendeve, sepse shteti grek nuk njeh myftitë e zgjedhur nga vetë minoriteti turk.

Dekreti i presidentit grek, që hyri në fuqi në 11 qershor i jep të drejtën ligjore Ministrisë së Arsimit të Greqisë të emërojë imamët myslimanë për minoritetin turk prej 150 mijë vetash, por edhe tëdrejtën të emërojë gjithë stafin, nëpunësit, arkivistët, etj. e këtyre imamëve dhe të minoritetit turk. Kjo përbën në fakt shkelje të të drejtave të minoritetit turk, të përcaktuara nga Traktati i Lozanës, që garanton liritë dhe të drejtat njerëzore dhe fetare të tyre. Dekreti i presidentit grek i shndërron institucionet fetare të minoritetit në institucione shtetërore greke dhe kjo shkel liritë fetare të tyre.

Zëdhënësi i MPJ të Greqisë, A.Yennimatas, iu përgjigj në 22 qershor, duke deklaruar se kjo është një çështje e brendshme e Greqisë dhe se minoriteti mysliman në Thrakë gëzon liritë dhe të drejtat e tij. MPJ e Greqisë do të bënte mirë t’i përmbahej këtij qendrimi zyrtar grek edhe në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe ta konsiderojë çështjen e minoritetit grek në Shqipëri një çështje të brendshme të Shqipërisë.

Debati diplomatik midis dy shteteve, me origjinë nga historia, përmban brenda tij absurditetin grek, që e quan minoritetin turk “minoritet mysliman” në përputhje me përkatësinë fetare dhe jo me përkatësinë etnike. Kjo është bërë qëllimisht, që të mos pranohet ekzistenca e minoritetit kombëtar turk dhe e minoriteteve të tjera kombëtare si shqiptar, maqedonas,vllah,rom, bullgarë, etj. të cilët ekzistojnë në Greqi.  Sipas logjikës zyrtare Greqia duhet të pranojë minoritet katolik, protestan, ebraik, budist, etj.

Absurditeti tjetër i Greqisë në raport me minoritetin turk është se shteti grek aplikon ndaj këtij minoriteti sheriatin dhe jo legjislacionin grek si për qytetarët grekë, akt që përbën një segregacion të hapur ndaj një popullsie jogreke. Nxjerrja e një dekreti diskriminues ndaj të drejtave dhe lirive fetare të minoritetit turk nga presidenti grek në një situatë tensionesh të shumta midis dy shteteve tregon se çeshtjet historike instrumentalizohen për të krijuar tensione të reja diplomatike.

Një situatë tensioni konstatohet në marrëdhëniet midis Hungarisë dhe Rumanisë, ku në 7 qershor shpërtheu një sherr diplomatiko- historik. Preteksti ishte përplasja midis grupit të popullsisë hungareze, që jeton në Transilvani, dhe grupit të shtetasve rumunë të përkrahur nga autoritetet e vendit, të cilët ndërhynë me  forcë në varrezat e vjetra të ushtarëve hungarezë të vrarë në Luftën e Parë Botërore dhe prishën kryqet katolike të varrezave hungareze dhe ndërtuan 52 kryqe të tyre dhe dhe një kryq të madh ortodoks.

Duhet thënë se varret e 600 ushtarëve hungarezë janë në ato varreza që nga koha e Luftë së Parë Botërore, kur Transilvania ishte pjesë e Hungarisë. Pas 100 vitesh kujtohen autoritetet rumune të përkujtojnë në varrezat hugareze ushtarët rumunë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, gjë që natyrshëm ngacmon të drejtën dhe ndjeshmërinë kombëtare të komunitetit të madh hungarez në Rumani.

Bukureshti e ndërmori këtë hap në një strategji për të konfirmuar autoritetin mbi popullsinë hungareze prej rreth 2 milion banorësh, që jeton në Rumani, dhe e cila me të drejtë kërkon autonomi.

Qeveria hungareze e cilësoi veprimin rumun një provokim antihungarez dhe thirri në takim ambasadorin rumun për t’i paraqitur protestën. Ambasadori rumun, në një akt të paprecedent diplomatik, refuzoi të shkonte në MPJ të Hungarisë. Ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, në 7 qershor i kërkoi Rumanisë të ndalonte provokimet me kryqe të ngritura në pjesën e varrezave hungareze. Partia “Aleanca Demokratike e Hungarezëve në Rumani” iu drejtua qeverisë rumune me thirrjen që të marrë masa ndaj atyre, që kanë shkatërruar kryqet e varrezave katolike hungareze.

Nga ana e saj MPJ e Rumanisë e quajti Hungarinë përgjegjëse të provokacioneve dhe të shkallëzimit të tensioneve, dhe u ankua se një zyrtar i lartë hungarez kishte marrë pjesë në ceremonitë në varrezat hungareze pa lejen e autoriteteve të Bukureshtit.

Shohim pra një baticë të sherreve diplomatiko-historike në Ballkan.Shpërthimi i njëkohshëm i këtyre sherreve të nxit për të nxjerrë disa përfundime.

Së pari, del se procesi i integrimit euroatlantik nuk ka qenë në gjendje që të zgjidhë apo të shuajë sherret e problemet e pazgjidhura, që historia i ka lënë hapur në marrëdhëniet dypalëshe në gadishullin ballkanik. Është interesant, sepse Hungaria dhe Rumania janë të dyja shtete anëtare të BE dhe të NATO-s e megjithatë integrimi euroatlantik nuk është përdorur prej tyre për të fshirë nga rendi diplomatik i ditës sherret me origjinë historike.

Bullgaria dhe Maqedonia janë njeri shtet anëtar i BE dhe i NATO-s dhe tjetri shtet kandidat për në BE dhe në NATO, kanë nënshkruar edhe një Traktat Miqësie, dhe tani po përplasin brirët diplomatikëpër dy pare spec.

Turqia dhe Greqia janë të dyja anëtarë të NATO-s dhe njeri shtet anëtar i BE dhe tjetri shtet kandidat i BE, që ka hapur bisedimet e pranimit me BE, dhe sherret diplomatiko-historike në vend që të pakësohen, po shtohen çdo ditë.

Së dyti, shpërthimi i tensioneve diplomatike me origjinë historike dhe të njëkohshme në marrëdhëniet dypalëshe të shumë shteteve ballkanike tregon se sa të gabuara dhe jashtë realitetit janë tezat kozmopolite diplomatike të qarkulluara, nga e majta dhe nga e djathta në Ballkan, për të ashtuquajturin integrim rajonal para integrimit euroatlantik.

Është vështirë të konceptojë njeriu se shtetet ballkanike, megjithë këto probleme e tensione të pazgjidhura, të trashëguara nga historia apo të shtuara nga aktualiteti, do të jenë në gjendje që të formojnë një integrim rajonal, një zonë të përbashkët ballkanike apo familjen ballkanike, terma e projekte idiote që prej shumë vitesh i ka për zemër diplomacia serbe dhe ajo shqiptare.

Së treti, nëpërmjet formave të reja dhe intensitetit të sherreve diplomatiko-historike të shteteve ballkanike duhet rilexuar interesi dhe përzierja e forcave të jashtme, të cilat kanë strategjinë që Ballkani të jetë gjithmonë det me dallgë të mëdha. Në rradhë të parë shfaqet interesi i Rusisë, e cila me infrastrukturën e saj të zhvilluar të lidhjeve dhe të implikimeve të shumëllojshme, që nga ato inteligjente e deri tek ato fetare, synon që rajoni të mos ketë kurrë qetësi dhe t’i largohet sa më shumëintegrimit euroatlantik.

Në një sherrnajë të tillë diplomatiko-historike në Ballkan është e rëndësishme të ndiqen dhe të nxirren mësimet dhe të përpunohen taktikat dhe strategjite e duhura të shtetit shqiptar në raportet dypalëshe me shtetet e Ballkanit.

Shqipëria nuk duhet të lejojë që diplomacitë e tjera t’i diktojnë sesi duhet ta shohë ajo historinë e vet, nuk mund të lejojë që t’i imponojnë të mos përmendë çështjen kombëtare çame, nuk mund të lejojë që varret dhe kockat e mijra shqiptarëve të jugut, të masakruar nga bandat ushtarake greke në vitin 1914, të na serviren si ushtarë grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

Shteti shqiptar duhet të shohë çdo ditë realitetet ballkanike në sy dhe të mbrojë interesat e veta jetike dhe strategjike kombëtare. Sherrnajat diplomatike në rajon duhet t’i kujtojnë Tiranës zyrtare se Shqipëria jeton në gadishullin ballkanik dhe jo në gadishullin skandinav.

Na ndiqni
error