Përgjimet, ky është gjermani që solli ‘tërmetin’ në Shqipëri

Gazeta më e madhe gjermane, Bild publikoi të mërkurën një shkrim në ballinën e saj, ku thuhet se ‘mafia shqiptare ka blerë votat për llogari të partisë në pushtet të Edi Ramës’. Shkrimi përmban një seri akuzash të forta. Për shembull, në një moment thuhet se “Edhe Rama vetë konsiderohet si një njeri me lidhje të ngushta me mafian e drogës: hetuesit perëndimorë dhe opozita shqiptare e akuzojnë atë se ka blerë votat me paratë e drogës”. Në një tjetër rast thuhet se Rama dhe njerëzit e tij kanë refuzuar që të bëjnë testin e drogës.

Por në dy momente, gazetari Peter Tiede përmend hetuesit perëndimorë. Në fakt, dosja që shkaktoi një valë arrestimesh në mbarë Shqipërinë, duke goditur mbi të gjitha klanin e Avdylajve në Shijak, mbante vulën gjermane.

Madje përpara arrestimeve, në Tiranë mbërriti ‘njeriu i hekurt’ i policisë gjermane, Dieter Romann. Në atë kohë u spekulua se kjo dosje ishte një goditje që po bënte Fatmir Xhafaj ndaj Edi Ramës. Vetë Xhafaj reagoi sot duke thënë se “Prokuroria të dalë dhe të thojë se çfarë po ndodh me hetimet kur ka çështje me interes publik. Duhet informuar publiku, nuk duhen trajtuar çështjet si pazare dhe thashetheme”. Ndërsa gazeta Bild thotë se Xhafaj, bashkë me paraardhësin e tij, Saimir Tahiri, janë “të dyshuar si pjesë e bandave të drogës”./